Turneu i Boksit “Kosovo Fight Night”/ Shkodrani Kajoshi fiton me nokaut, dështon ndeshja e Hysës…

Shpërndaje

Ashtu siç ishte planifikuar më herët, mbrëmjen e djeshme në qytetin e Pejës së Kosovës është zhvilluar turneu i boksit prifesionisht “Kosovo Fight Night”.

Në kalendarin e tetë ndeshjeve të miratuar nga federata botërore e boksit profesionist dhe ajo e Kosovës, bënin pjesë edhe dy duelet e boksierëve shkodranë, Arjon Kajoshi dhe Nelson Hysa, i pari në peshën e mesme dhe i dyti në peshën super të rëndë.

Nën drejtimin e stafit të trajnerëve shkodranë, Zef Gjoni, Jetmir Kuci dhe Lazarin Vila, boksierët shkodranë ishin përgatitur seriozisht për të marrë fitoret e radhës. Boksieri i peshës së mesme, Arjon Kajoshi ka bërë një figurë shumë të mirë duke marrë me të drejtë duatrokitjet e tifozërisë kosovare. Përformanca e tij në ring ka qënë e shkëlqyer.

Përballë boksierit nga Hungaria Pal Olah, Kajoshi ka qënë i papërmbajtshëm në të gjitha drejtimet. Edhe pse ndeshja ka qënë e planifikuar të boksohej në gjashtë raunde, falë goditjeve të forta dhe të shpeshta të Kajoshit, kundërshtari i tij hungarez nuk ka mundur të rezistojë më shumë sesa raundi i katërt duke bërë që Arjon Kajoshi të fitojë me nokaut. Kështu, me këtë fitore, Arjon Kajoshi regjistron fitoren e katërt në boksin profesionist duke dëshmuar se falë edhe moshës së tij të re, ecuria e tij në boksin profesionist është në rrugë të mbarë.

Për hirë të së vertetës vemendja e organizatorëve dhe sidomos e tifozërisë kosovare ka qënë e përqëndruar për ndeshjen e peshës super të rëndë në mes Nelson Hysës dhe kroatit Marko Vuçeviç ku pas pesë fitoreve radhazi, shkodrani Hysa besonte në fitoren e gjashtë radhazi, e cila do ta rriste në mënyrë të ndjeshme në listën e boksierëve profesioniste të rangut botëror. Ndeshje, kjo që fatkeqësisht nuk është zhvilluar për arsye të problemeve shëndetësore të kroatit Vuçeviç, ku sipas organizatorëve në analizat mjekësore të zhvilluara një ditë përpara aktivitetit, ka rezoltuar pozitiv në testin e Covidit.

Ndeshje kjo, që gjithnjë sipas organizatorëve do të zhvillohet në një aktivitet tjetër që do të planifikohet gjatë muajve të parë të vitit 2023.

Shpërndaje