“Puthi këmbët Kiarës. Thuaj të…”/ Policia kap 22-vjeçarin dhe shoqen e tij në Durrës, bullizuan e dhunuan të miturën…

Shpërndaje

Policia e Durrësit ka reaguar pas një rasti dhune e bullizmi ndaj një të miture në Durrës.

Një djal dhe një vajzë shfaqeshin në një video të publikuar në media duke dhunuar e bullizuar një tjetër vajzë të mitur.

Policia bën me dije se ka identifikuar dhe shoqëruar një 22-vjeçar të cilit gjatë kontrollit, i është gjetur edhe një thikë.

Gjithashtu janë shoqëruar shoqja e tij dhe vajza e bullizuar të cilat do të intervistohen për dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Në pamjet e publikuara ditën e djeshme, 22-vjeçari dhunonte dhe shantazhonte 17-vjeçaren duke e detyryar të bënte veprime denigruese ndaj të miturës tjetër.

Reagim i Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës

Në lidhje me një video të publikuar ditën e djeshme, në rrjetet sociale, në të cilën shfaqet një shtetas që bullizonte dhe dhunonte një shtetase të mitur, ju sqarojmë se:

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Durrës, pas transmetimit të pamjeve filmike në rrjetet sociale, menjëherë kanë organizuar punën për identifikimin dhe shoqërimin e shtetasit që shfaqet në video.

Shërbimet e Policisë kanë identifikuar, kapur dhe shoqëruar në ambientet e Policisë së Durrësit, shtetasin A. D., 22 vjeç, banues në lagjen nr. 6, Durrës. Në momentin e kapjes, gjatë kontrollit fizik të ushtruar ndaj këtij shtetasi, shërbimet e Policisë i kanë gjetur dhe sekuestuar një mjet prerës (thikë).

22-vjeçari ndodhet i shoqëruar dhe po vijojnë veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Njëkohësisht, shërbimet e Policisë kanë identifikuar edhe 2 shtetaset e mitura 17-vjeçare, të përfshira në këtë ngjarje, dhe në bashkëpunim me punonjësit e shërbimit social dhe me psikologun, te dyja shtetaset do të intervistohen me qëllim dokumentimin e plotë të këtij rasti.

Policia e Shtetit falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e abuzimit me të mitur dhe çdo paligjshmëri tjetër, si dhe siguron qytetarët se strukturat vendore dhe qendrore të Policisë reagojnë në menyrë të menjëhershme, për të vënë përpara drejtësisë personat e përfshirë në paligjshmëri dhe në krim.

Shpërndaje