Luan sezonin e tretë në Shkodër dhe Kastrioti është “viktima” e tij e preferuar. Ardit Hoxhaj i dha fitoren Vllaznisë të dielën me një gol “rrufe” që në sekondën e 40-të. Në këto tri vite me fanellën e Vllaznisë, rezulton se sulmuesi vlonjat ka shënuar më tepër gola pikërisht ndaj Kastriotit (4), edhe pse rekordin personal e ka ndaj Skënderbeut, me pesë gjithsej dhe katër brenda një ndeshjeje.
Në një intervistë për “Panorama Sport”, pas fitores me krutanët, Hoxhaj foli për kthesën në rezultate dhe mundësitë që ka skuadra shkodrane. Sipas tij, Vllaznia e këtij sezoni ka shumë cilësi, por duhet të lërë pas oshilacionet në rezultate për të shkuar tek arritja e objektivave.
Ardit, mesa duket Kastrioti është skuadra që ju sjell fat, pasi në këto tri sezone me Vllazninë, i keni shënuar katër gola…
Po, është e vërtetë që më sjell fat Kastrioti dhe ndihem mirë për këtë gjë. Rëndësi ka që arrita të shënoja dhe të marrim tri pikët, sepse kjo na jep qetësi për vazhdimin e kampionatit. Realisht ka qenë një javë e stresuar për ne pas humbjes që pësuam me Egnatian. Donim që të merrnim fitoren me çdo kusht dhe pak menduam për lojën. Nuk na interesonte loja e bukur, por mbi të gjitha duheshin tri pikët.
Presioni i shtuar në ekip pas humbjes në Rrogozhinë sa ua vështirësoi?
E vërteta është që kemi pasur presionin e rezultatin, sepse donim ta fitonim me patjetër këtë ndeshje. Tashmë rëndësi ka që kjo u arrit.
Këtë herë u aktivizuat në qendër të sulmit. Ku e ndjeni veten më mirë?
Së pari, unë do të bëj atë që më thotë trajneri, por ndihem mirë edhe në majë të sulmit. Ky është një rol që e kam bërë edhe më parë, kështu që nuk e kam problem. Mendoj se përshtatem mirë edhe si qendërsulmues.
Ky gol kaq i shpejtë ka ndonjë dedikim?
Jo, nuk kam ndonjë dedikim të veçantë për golin. Rëndësi ka të vazhdoj të shënoj rregullisht. Jam i kënaqur që u kthyem te fitorja, pasi tashmë do të punojmë më të qetë.
A mund të ndikojë për mirë kjo ndërprerje e kampionatit te Vllaznia?
Mendoj se do të na vlejë për të analizuar veten dhe parë ku kemi gabuar në javët e fundit. Duhet që të punojmë për të rregulluar dhe korrigjuar pikat tona të dobëta.
Jeni revoltuar më parë për mungesën e minutave. Tashmë si e shihni veten?
Kur flas për minutat në lojë u jam referuar sezoneve të shkuara. Tashmë nuk kam ndonjë ankesë, sepse profesor Josa më ka dhënë besim dhe dua ta falënderoj për këtë. Do të mundohem t’ia shpërblej në maksimum.
Sipas jush, kjo Vllazni është më e fortë se e sezonit të shkuar?
Mendoj se kemi shumë lojtarë cilësorë, por këtë duhet ta tregojmë në fushën e lojës. Gjatë këtyre javëve kemi pasur oshilacione. Megjithatë, realisht them se kjo Vllazni është më e fortë se vjet. Mendoj se me marrjen e rezultateve pozitive radhazi, gradualisht do të na vijë edhe qetësia në grup, kështu që lojtarët do të tregojnë vlerat më mirë në fushë, duke shfaqur pikërisht maksimumin e tyre.
Më 28 shtator riktheheni të luani në Kupë, këtë herë ndaj ish-skuadrës suaj, Flamurtari, në Vlorë. Si e prisni këtë takim?
Është një emocion i bukur kur luan kundër qytetit tënd. Ne do të bëjmë maksimumin për të kaluar në turin tjetër. Flamurtarit i uroj shumë suksese dhe shpresoj të ngjitet sa më shpejt në Superligë.
ADMIR URUÇI – PANORAMASPORT.AL