Kryengritja e Postribës është një prej ngjarjeve më të rëndësishme dhe që shënoi një pikë të fortë kthese në historinë e Shqipërisë.
9 shtatori i 1946-es, është dita kur Postriba, Malësia dhe Shkodra u futen kryelartë në histori përmes gjakut dhe guximit të bijve të kësaj treve dhe të gjithë atyre burrave, intelektualëve të ndritur që i dhanë jetë kryengritjes së parë antikomuniste në Europë.
Bijtë heronj të Postribës, Malësisë e Shkodrës u ngritën në emër të asaj që e kemi dëshmuar në çdo kohë se e kemi të shenjtë, Lirinë!
Kjo kryengritje që bëri bashkë të gjithë ata burra të urtë, patriot dhe vizionar për të mos e lënë vendin e tyre në greminë, u shtyp me dhunë brutale, nga frika e atyre që kishin instaluar terrorin dhe udhëhiqeshin nga parimet më ç’njerëzore që mendja e një njeriu mund të prodhojë.
Na lind ne detyra t’i përkujtojmë e nderojmë përjetë sakrificat e të parëve, prej të cilave duhet të nxjerrim mësime. Kohët ndryshojnë, por shpesh rreziqet përsëriten, prandaj nuk duhet të gabojmë e ta harrojmë të shkuarën.
Duke i përkujtuar dhe nderuar këto data, i bëjmë shërbimin më të madh vendit, sepse Liria dhe përballja me të keqen, janë mburoja më e mirë e vlerave demokratike, për të cilat kemi luftuar dhe përmes të cilave synojmë të jemi në një të ardhme jo të largët pjesë e familjes europiane.
Lavdi përjetë heronjve të kryengritjes së Postribës!