Fjoart Jonuzi: Tirana na karikoi, por është gabim të flasim që tani për titull…

Shpërndaje

Mesfushori kuksian i Vllaznisë, Fjoart Jonuzi, është shprehur i kënaqur me rezultatin e takimit të arritur ndaj Tiranës. Këto tri pikë dhe kjo fitore ndaj kampionëve në fuqi duhet të shërbejnë pozitivisht për kuqeblutë. Ndërsa vetë mesfushori në intervistën për “Panorama Sport” kërkon që skuadra të jetë larg euforisë dhe beson se ekipi edhe në përballjen ndaj Egnatias do të kërkojë pikët maksimale.

I gëzuar pas kësaj fitoreje ndaj Tiranës. Thyet, mesa duket, një tabu?
Po, normalisht që jemi të kënaqur dhe shumë të gëzuar duke parë që kishim shumë ndeshje pa fitore ndaj Tiranës. Është kampionia në fuqi dhe do të thosha që kjo fitore do të thotë moral më i lartë për ekipin në këtë moment. Tani duhet ta lëmë pas gëzimin dhe të shohim përpara duke marrë çdo ndeshje me radhë.

Sërish Vllaznia si në takimin ndaj Kukësit, paraqiti një ndeshje me dy tablo?
Mendoj se në një ndeshje është normale të kesh momentet e mira dhe të këqija, sepse nuk mund të jesh gjithë kohës pa gabuar. Megjithatë, prapë treguam karakter, edhe pse e rrezikuam ndeshjen. Por morëm tri pikët dhe këto kanë tani më shumë rëndësi.

Fitoni ndaj një rivali direkt, mendoni se Vllaznia do të jetë një prej pretendentëve për titull?
Kjo ndeshje na jep moral në vazhdimësi. Është gjë e mirë që fituam ndaj një rivali, por duhet të jemi me këmbë në tokë. Është shumë herët për të folur për këtë, ne thjesht duhet t’i marrim ndeshjet me radhë.

A menduat në ndonjë moment të pjesës së dytë që mund t’i linit këto 3 pikë?
E thashë edhe më lart që e rrezikuam. Në një ndeshje asnjëherë nuk i dihet sepse ka pasur kthime rezultatesh edhe në nivele më të larta, por treguam karakter, pavarësisht disa gabimeve dhe mospërqendrimit në disa situata.

Java e ardhshme në transfertë ndaj Egnatias. Vjet keni hasur vështirësi ndaj kësaj skuadre, si e shikoni këtë përballje?
Egnatia ka një ekip të fortë, ka bërë disa blerje të mira këtë vit dhe e shoh një ndeshje shumë të vështirë, për më tepër që luajmë jashtë fushës sonë. Ne duhet që të jemi të fokusuar dhe të punojmë këtë javë me motiv dhe ta vlerësojmë në maksimum këtë sfidë. Nuk ka më ekipe të lehta dhe kundërshtarë të lehtë.

A duhet që Vllaznia të shfrytëzojë anën psikologjike pas këtyre dy fitoreve apo duhet që t’i ruheni euforisë?
Do të ishte një gabim i madh euforia në këto momente. Duhet të tregohemi ekip i pjekur. Nga ana tjetër normalisht duhet të shfrytëzojmë anën psikologjike, e cila është siç duhet dhe mbizotëron në skuadër. Po ashtu edhe fryma pozitive duhet të na shërbejë për mirë.

Fitorja, objektivi i vetëm në këtë sfidë?
Ne do të shkojmë për 3 pikë, por duhet punë e madhe gjatë gjithë javës sepse vetëm kështu do të kemi sukses në këtë përballje.

ADMIR URUCI – PANORAMASPORT.AL

Shpërndaje