Një buqetë këngësh me arome Shkodre” Këngëtarja Gentjana Tafili publikon albumin e saj të parë !

Shpërndaje

E kam të vështirë të gjej fjalët e duhura pasi që në këtë shkrim duhet të përmbledh punën kolosale të bërë me aq dashni nga Gentjana për albumin e saj të parë.
U deshën vite që kjo punë e bukur të finalizohej edhe të jetë tashme në duart e artdashësit Shkodran, e jo vetëm… Ajo çka është e sigurtë është se ky album përmban art të një cilësie “24 karat” !!!
Melosi shkodran është ruajtur i paprekur nga tendencat e modernizimit të tepruar , edhe është percjellë me kujdes në këngët e bukura edhe krejt origjinale, që ky album përmban.

E ka titulluar , “Ty me t’dasht” jo vetëm sepse kështu titullohet një nga këngët e albumit , por se titulli fsheh në vetevete edhe shumë kuptime të tjera, që lidhen ngushtë me artisten.

Në këndvështrimin tim “Ty me t’dasht”, Gentjana i thotë sëpari këngës, së cilës i ka dedikuar shumë nga jeta e saj . Edhe që padiskutueshëm është pasioni i saj më i madh.

“Ty me t’dasht” i thote Shkodrës , djepit të kulturës që e rriti edhe e formoj me dashninë e të bukurës, estetikes, artit… E që aq shumë i mungon….


“Ty me t’dasht”, Gentjana i thotë edhe vendit ku jeton e punon prej vitesh edhe ku është rritur e formuar edhe artistikisht .
Ky tog i bukur fjalësh i referohet edhe dy prindërve të saj të mrekullueshem , nga të cilët u largua në moshë shumë të re.
Sëfundmi “Ty me t’dasht”, ajo ia dedikon njeriut me të cilin ka ndarë vitet më të bukura të jetës, bashkëshortit të shtrenjtë, i cili e ka përkrahur gjithmonë në rrugëtimin e jetës.

Një buqetë këngësh me aromë Shkodre është ky album i cili vjen ere drandofilesh e zambakësh nga bahçet shkodrane edhe qëndron në piedestalin e artit të vërtetë shumë hijerëndë.

Nuk përzihet kurrësesi me komercialitetin e momentit edhe ashtu paster tingëllon bukur në çdo këngë që është pjesë e ketij albumi.

Emra të mëdhenj të muzikës Shqiptare, kompozitorë edhe orkestrues, por edhe tektshkrues të njohur i kanë dhënë këtij albumi vlera të plota e të patjetërsueshme.

“Shkodrës” titullohet kënga e parë e albumit, ajo që të uron një mirëseardhje në këtë qytet plot traditë. Shpesh i kanë kënduar qytetit të andrrës ,por e veçantë mbetet kjo këngë e Muzikantes edhe Pedagoges Eriona Rushiti.

Pas përkëdheljes që ofron kjo këngë e re, realizuar enkas për këtë album , zemrën ta ngroh “Margjelo” e Kolosit të muzikës Shqipëtare Prenke Jakova. Gentjana jo pa qëllim zgjodhi që këngët e reja të saj të alternohen me këngët e vjetra të muzikës Shkodrane. Kjo “Margjelo”, e orkestruar nga Muzikanti edhe Pedagogu Enis Mullaj vjen krejt natyrshëm përmes zërit të bukur të Gentës , e cila shpalos veç të tjerash me “Margjelon” edhe vlerat e vokalit te saj …

“Ty me t’dasht” titullohet dueti që Gentjana Tafili sjell sebashku me artistin e mirënjohur Leonard Guga. Me muziken e bukur plot romanticitet të Mjeshtrit të madh , Kompozitorit Zef Çoba dhe tekst të Mjeshtrit të madh Ramazan Çeka , kjo këngë ka premisa të mira për tu kthyer në një hit të bukur dashurie, plot ndjenjë e emocion.

Ashtu siç lulet rrinë bukur në një buqetë edhe kenget e ketij albumi ndërthuren bukur me njëra tjetrën .
“Pranvera filloi me ardhe” , “S’ka ma bukur se Pranvera”,

“Luleborë”, “Tash sa ditë e mot”, “Sot ka çilun o pranvera” , janë të gjitha këngë qytetare shkodrane të cilat janë përcjellë nga brezi në brez në këtë qytet , ku njerëzit kanë kënduar e defryer gjithmonë.

Por jo vetëm nostalgji, edhe një rikthim në kohë i perlave të muzikës tonë , por edhe shumë këngë të reja të cilat janë bërë enkas për këtë album. Janë këngë të cilat i këndojnë shumë çkaje në një mënyrë krejt të thjeshtë e shumë origjinale . “Liqeni andrrimtar” është një nga këto krijime të bukura . Si bashkëpunim mes dy Mjeshtave të mëdhej , Kompozitorit Zef Çoba edhe tektshkruesit Ramazan Çeka , kënga sjell një dozë të madhe malli të atyre që janë mërguar larg… E ashtu si një pulëbardhë që ulet mbi liqen , edhe notat e bukura të Profesor Zefit lidhen natyrshëm me zërin e Gentjanës qe i këndon plot mall liqenit të qytetit të saj …

Në këtë album me bashkëpunetorin edhe mikun e saj në Zvicër, Muzikantin Rafael Lishi , Gentjana sjell një tjetër këngë të re .
“Me thuaj kur do vish” mban tekstin e Mjeshtrit të letrave shqipe Shkrimtarit të mirënjohur Agim Doçi .

Mes rritmeve të bukura e notave plot jetë , në këtë përmbledhje muzikore zë një vend të veçantë edhe dashuria . “Kam harru” titullohet balada e bukur e dashurisë që ka sot qindra e mija klikime në internet. Me tekst edhe muzikë nga Kompozitorja edhe Pedagogia Erjona Rushiti , kjo baladë i këndon bukur dashurisë.

E fundit , por jo nga rëndësia , nuk harroj të përmend një tjetër këngë të re të këtij albumi. “ Nanë e dashtun” me muzikë të kompozitorit Ilir Zoga edhe tekst të Nesti Gjonit , kjo këngë i dedikohet qenies më të shtrenjtë në botë nënës. E dashtun nga fillimi në fund , kjo këngë mbështjelll si një aureole këngëtaren e cila me gjithë zemer i kendon të shtrenjtës nënës së saj…
Për të gjitha këto krijime të reja , por edhe këngët qytetare të risjella pas në vite kanë punuar mjeshtrat e muzikës Shpetim Saraçi , Ilir Zoga edhe Enis Mullaj , duke i dhënë albumit një tjetër vlerë.

Jam e lumtur që e kam marrë ndër të parët në duar këtë album , por më shumë më lumturon fakti se jam njohur shumë herët me këto këngë të bukura , të cilat kemi pasur fatin ti shoqërojmë edhe me klipe . Gentjana na ka besuar realizimin filmik të tyre, të cilin me shumë dëshirë e kemi realizuar . Maison Kavaja , Mjeshtri i kameras edhe fotografisë , ka realizuar deri tani 5 klipe te bukura të këngëve të Gentës… Nga ky album të shoqëruara me klipe janë këngët : “ Shkodrës” , “Margjelo” , “Kam harru” dhe shumë shpejt bashkë me albumin publiku do të njihet edhe me klipin e këngës
“Liqeni andrrimtar”, e cila gjithashtu jam e bindur se do të pëlqehet shumë… Të tjera këngë po punojmë që ti sjellim me klipe të bukura , që publiku të ketë mundësi ti shijojë në çdo moment.

Sëfundmi dua të ju them me shumë sinqeritet se kjo buqete e bukur këngësh , tingëllon e gjitha shqip. Bukur e pastër me gjuhën tonë të dlirë. E Genta ja ka shtuar vlerat vetes , duke e ruajtur ketë element të paprekur me shume kujdes… S’më mbetet gjë tjetër veçse ti uroj suksese në këtë realizim të bukur , i cili na gëzon pafund edhe na bën të gjithëve të ndihemi krenarë…
Faleminderit Genta!

Linda Kavaja
Korrik 2022

Shpërndaje