Vllaznia nuk dëshiron të humbasë terren në garën për një biletë direkte në zonën europiane dhe në situatën aktuale të shkodranëve, vendi i katërt është objektivi më minimal i mundshëm. Trajneri Elvis Plori nuk bën “ulje çmimi” për asnjë ndeshje dhe e ka fjalën edhe për Teutën me të cilën do të përballet këtë të dielë në “Niko Dovana”.
“Arritja në finale na jep qetësi përpara ndeshjes me Teutën. Duhet të përqëndrohemi me radhë në ndeshjet një e nga një dhe t’i marrim të gjitha me radhë. Duhet të shfrytëzojmë momentin pozitiv pas kualifikkimit të skuadrës në finale. Fakti që për zonën europiane po luftojmë edhe nëpërmjet kampionatit, na motivon më shumë. Nëse flitet që nuk jemi për të luajtur në Europë, kjo na shtyn të bëjmë edhe më shumë. Deri në momentin që ka shanse matematikore, duhet të shpresojmë. Nga i pari tek i fundit, jemi të gjithë të përqëndruar te ndeshja me Teutën”, thekson Plori në konferencën për shtyp.
Në vijim ai shton se Vllaznia do të luajë një ndeshje të mirë në Durrës, duke shfrytëzuar edhe entuziazmin që ka në skuadër pas kualifikimit në finalen e Kupës së Shqipërisë që do të luhet në 31 maj në “Air Albania Stadium” kundër Laçit.
Në këtë konferencë ishte i pranishëm edhe sulmuesi nga Maqedonia e Veriut, Fahrudin Djurdjevic. Fillimisht ai u ndal te momenti i 11-metërshave në gjysmëfinalen me Partizanin.
“Për të qenë i sinqertë, në momentin e penalltive kur të gjithë po ekzekutonin goditjet nga pika e bardhë, kisha emocione pasi Kupa është një objektiv shumë i rëndësishëm për ne këtë sezon. E disktuam edhe me shokët e skuadrës edhe pas ndeshjes atë moment shumë të veçantë në një atmosferë të zjarrtë. Tani duhet të përqëndrohemi te Teuta. Jemi ndeshur disa herë me këtë skuadër gjatë këtij sezoni dhe e njohim mjaft mirë. Ata po kalojnë disa probleme dhe ne do të përpiqemi ta shfrytëzojmë këtë situatë duke marrë avantazh edhe nga entuziazmi që na ka dhënë Kupa. Që tani dhe deri në fund çdo pikë është shumë e rëndësishme. Do të përpiqem të shënoj që të ndihmoj skuadrën”, thekson sulmuesi 30-vjeçar.