Nga Ylli Pata
Shqipëria po shkon këtë të djelë në një proces zgjedhor të pjesshëm, më të vaktin që është zhvilluar ndoshta në 30 vjet.
Ngjarjet e fundit në Ukrainë kanë lënë në hije si luftën politike nga lart, apo edhe zhurmën e mbështetësve nga poshtë në rrjetet sociale.
Madje, është mjaft kurioze po të shohësh se disa përkrahës të opozitës janë të zënë këto ditë me debatin për Rusinë e Ukrainën.
Disa nga më të zëshmit zakonisht në rrjete kundër qeverisë dhe kundër SHBA-së, po mbrojnë Putinin e pushtimin e tij të Ukrainës.
Ndërkohë, që pikërisht ky ishte një rast i artë për opozitën që në mungesë të një zhurme politike, të krijonte një debat cilësor në lidhje me modelet dhe idetë e tyre për modernizimet e 6 bashkive që të dielën do të zgjedhin kryebashkiakët e rinj.
Edhe pse këta kryebashkiakë do të zgjidhen për 1 vit, është krejt normale që ai që arrin rezultat të mirë, ka të gjithë mundësitë që të rikandidohet pas një viti në zgjedhjet e përgjithshme të vitit të ardhshëm për 61 bashkitë e vendit, apo një numër tjetër që do të arrihet pas reformës së re territorial që ka kërkuar opozita.
Gjithsesi, të dielën zgjedhjet më interesante janë në Shkodër.
Durrësi, Lushnja, Dibra, Rrogozhina e Vora, pavarësiht rëndësisë së garës, kanë një përplasje jo aq të madhe san ë Shkodër.
Në bashkinë më të madhe të veriut të vendit, siç janë zhvilluar situatat deri tani, janë thuajse në kuota të njëjta kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni dhe ai i PD-së, Xhemal Bushati. Pavarësisht sondazhit që u transmetua nga disa media për kryesimin e Bardh Spahisë, gjërat nuk duken se i japin atij epërsi.
Gjithsesi, duhet thënë se gara brenda dy pjesëve të opozitës është shumë e fortë atje. Këtë e ka ndihmuar edhe indiferenca totale e PS-së dhe e qeverisë në fushatë, por edhe fakti që LSI-ja e Shkodrës, edhe pse ka një kuotë të rëndësishme nuk shikohet si një faktor që i çon votat automatikisht tek Bardh Spahia, i cili është edhe përfaqësues i koalicionit me partinë e kryemadhit.
Votuesit e LSI-së në Shkodër janë përgjithësisht të majtë, por ata ka gjasa që të shkojnë për kandidatin që duket se do të arrijë fitore, për të qenë më pas një faktor në drejtimin e qytetit.
Futja në lojë e Jozefina Topallit pro Sali Berishës, duke kritikuar fort edhe qeverinë amerikane, duket se është shenjë e një situate jot ë mirë të kandidatit të Berishës, i cili po përdor të gjitha kartat për të marrë votat.
E duhet thënë se e gjithë kjo luftë, po i jep ngjyra mjaft interesante garës së Shkodrës, ku ka dukshëm një konkurrencë të madhe.
Kandidatja e PS-së po bën fushatë vetëm personalisht, ndërkohë që partia e saj thuajse nuk është prezente në qytet. Në Shkodër PS nuk ka kryetar, por vetëm një koordinatore.
Ndërkaq, Spahia, po luan kartën e “qytetarit” për të arritur të marrë votat e qytetit të Shkodrës, ku është feta më e madhe e votës historike opozitare.
Njerëzit e Spahisë, po hapin fjalë se PD-ja nuk ka përfaqësim sa duhet me njerëz që janë nga qyteti por që origjinën e kanë nga zonat e tjera. Në fakt duket si manovër jo mjaft lineare, ngaqë realisht PD-ja e Lulzim Bashës ka thuajse të paprekura të gjitha strukturat organizative në të gjithë territorin e bashkisë.
Kreu i PD-së, Xhevdet Amuli, ka arritur ta mbajë degën e PD-së thuajse të plotë nga shizma e madhe që shkaktoi Sali Berisha në PD.
Vetëm një pjesë mjaft e vogël e kësaj strukture, ka kaluar me Berishën. Kjo strukturë është edhe makineria elektorale më me përvojë në Shkodër e fshatra, që për 30 vjet ka arritur vetëm fitore, e natyrisht ka përvojën mëse të plotë për të çarë në terrenin e elektoratit të gjithë territorit të Shkodrës.
Të premten janë mitingjet përmbyllës, ku do të shkojë për herë të parë edhe Edi Rama, që thuajse e ka lënë gjithë fushën lirë për terrenin e opozitës. Por nga përplasja e madhe mes opozitës, ka mjaft gjasa të përfitojë kandidatja e PS-së, Majlinda Angoni…