Me rastin e 143-vjetorit të lindjes së atdhetarit të shquar Luigj Gurakuqi, salla kryesore në Ministrinë e Arsimit dhe Sportit ka marrë emrin e tij.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi gjatë fjalës së saj tha se figura e Luigj Gurakuqit në këtë sallë do të shërbejë si një frymëzim për të gjithë.
Ajo tha se vendimet e rëndësishme që merren në këtë sallë, duhet të jenë jo vetëm të drejta, por edhe me shumë dashuri, pikërisht siç ishte dashuria e Luigj Gurakuqit për atdheun, shqiptarët dhe arsimin.
Historiani Pëllumb Xhufi, duke bërë një vlerësim historik të figurës së Gurakuqit, u shreh se nuk ka nder më të madh për këtë ministri se të mbajë emrin e tij në këtë sallë.
I ftuar i veçantë ishte edhe poeti dhe regjisori Nikolin Gurakuqi, pasardhësi i Luigj Gurakuqit, i cili shprehu falënderime që një nga sallat më të rëndësishme në Ministrinë e Arsimit do të mbajë emrin e stërgjyshit të tij.
Ndërkohë Ditmir Bushati në fjalën e tij u shreh se veprat e atyre që kontribuan për Shqipërinë dhe brezat e ardhshëm duhen nderuar sa më shumë.
Përurimi i bustit u bë nga Ministrja Kushi dhe skulptori i talentuar Benard Lekgegaj, mësues në Liceun Artistik në Tiranë, i cili e punoi këtë bust enkas për këtë përvjetor të Gurakuqit për t’ia dhuruar kësaj ministrie.
Aktori Kastriot Çaushi, njëherazi edhe rektor i Universitetit të Arteve, dhuroi emocione me interpretimin e Elegjisë së Nolit për Luigj Gurakuqin “SYRGJYN VDEKUR”.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin rektorë të universiteteve publike, drejtues të institucioneve arsimore parauniversitare, si dhe drejtues të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.