Vllaznia – Teuta është sfida që pritet të ndezë “Loro Boriçin” të dielën në ora 16:45. Trajneri Tomas Bërdariç e shikon një sfidë shumë delikate përballjen me Teutën, ndërsa nuk i beson skuadrës kundërshtare dhe momentit që ajo po kalon.
“Është një mundësi e mirë që nesër të vijojmë me fitoret, ashtu sikurse kemi bërë edhe në mesjavë në Kupën e Shqipërisë ndaj Flamurtarit. Duhet të shfrytëzojmë faktin që luajmë në shtëpi. Kemi përgatitur një plan të mirë për të luajtur me Teutën, që e njohim si kundërshtar dhe ia dimë pikat e forta dhe të dobëta. E rëndësishme të marrim maksimumin dhe t’i shkaktojmë humbjen atyre”
Teuta është kampione në fuqi e si e tillë është vlerësuar dhe nga trajneri Bërdariç
“Ne marrim seriozisht çdo kundërshtar pasi Superliga është një kampionat i vështirë. Besoj se jemi në gjendje të mirë dhe mund t’ia dalim ndaj Teutës, pavarësisht problemeve të saj”.
Tek durrsakët nuk është më Edi Martini, por tjetërkush. “Është e rëndësishme që Teuta ka një trajner të ri, sepse ka një qasje të re. Sa i përket Martinit unë kam një marrëdhënie të mirë e besoj se shumë shpejt do të kthehet, sepse është trajner i mirë. I uroj shumë fat”.
Skuadra është e plotë dhe nuk ka mungesa.
“Ne nuk kemi vetëm 11 lojtarë. Kur mungojnë disa vjen mundësia për të tjerë. Është mundësia për ata që nuk kanë dhe duhet të tregojnë në stërvitje për minutat që duhet të marrin në lojë. Unë besoj se kemi një skuadër të kompletuar”.
Një tjetër temë edhe mungesa e golit nga sulmuesit, ndërsa janë duke shënuar mesfushorët.
“Për ne nuk ka rëndësi se kush shënon. E rëndësishme është të marrim pikët maksimale dhe skuadra të jetë e balancuar. Ndoshta keni të drejtë për kritikën kur sulmuesit nuk shënojnë. Por uroj që të dalin tek goli, sepse do t’i japi besim atyre. Gjithsesi na duhen pikët”
Në fund Bërdariç ka folur dhe për luftën në të dy frontet, Kupën e Shqipërisë dhe kampionatin.
“Tirana funksionon mirë. Kanë shfrytëzuar mirë mundësitë e tyre. Ne duhet të jemi vetja jonë dhe të marrim fitoret e të vazhdojmë rrugën tonë”.