Policia e shtetit ka njoftuar se ka marrë masa për të ndërhyrë në protestën që po zhvillohet para selisë së PD. Situata përshkallëzoi pasi filloi të përdorej edhe gazi lotsjellës dhe protestuesit arritën të thyenin xhama dhe disa dyer.
Sipas njoftimit të bërë në deklaratën e policisë, një grup deputetësh kanë kërkuar ndihmë duke thënë se u rrezikohej jeta nga protestuesit e mbledhur para selisë.
Njoftimi i Plotë nga Policia e Shtetit:
Në bazë të një kërkese të bërë Policisë së Shtetit, nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, të cilët kanë kërkuar ndihmën e Policisë, pasi i rrezikohej jeta nga protestuesit, sqarojmë se:
Policia e Shtetit është gati për të ndërhyrë në ndihmë të deputetëve që kanë kërkuar ndihmë dhe u bën thirrje protestuesve që të distancohen menjëherë nga aktet e shkatërrimit të pronës dhe aktet e dhunës.
Policia e Shtetit u bën thirrje organizatorëve të protestës që të përmbajnë protestuesit dhe të shmangin çdo rast dhune, sepse do përballen me ligjin.