Vidhet kablli i ndriçimit rrugor publik në rrugën e Shirokë…

Shpërndaje

Vazhdon të dëmtohet nga persona të papërgjegjshëm sistemi i ndriçimit rrugor publik në rrugën e Shirokës. Natën e kaluar janë grabitur 430 metër linear, ndërsa dy netë më parë 500 metër të tjera. Të enjten e kaluar, janë vjedhë nga keqbërës 192 metër linear.

Përgjegjësi i Njesisë së Sherbimeve në Bashkinë Shkodër Altin Salihi thotë se grabitja e kabllove të sistemit të ndriçimit publik është kthyer në një gangrenë. “Ne punojmë dhe zëvendësojmë ditën kabllot e grabitura, natën i vjedhin sërish.”. Salihi bën me dije se në të të gjitha rastet është njoftuar Policia e Shtetit, janë bërë denoncime në prokurori, por akoma nuk po identifikohen e vihen para përgjegjësisë keqbërësit.

I shqetësuar për këtë fenomen që dëmton financat e Bashkisë Shkodër, rrjedhimisht edhe të qytetarëve shkodranë, është edhe zëvendëskryetari Ardit Çylybyli. Për të disatën herë, ai përsërit thirrjen për policinë e shtetit, duke kërkuar verifikimin e nevojshëm dhe identifikimin e këtyre personave të papërgjegjshëm.

Vetëm 10 ditët e fundit, në rrugën e Shirokës, janë grabitur rreth më shumë se 1000 metër linear kabllo. Ajo zëvendësohet për të rikthyer normalitetin në ndriçimin publik, në vend që të investohet për shtimin apo përmirësimin e këtij sherbimi në pjesë të tjera të Bashkisë së Shkodër.

Shpërndaje