“Na interesonte fitorja e Partizanit“, Xhaferri sheh përpara në përballjen direkte: Me Kuksi do të jetë një finale

Shpërndaje

Përmbysja e djeshme e Kukësit nuk la të zhgënjyer vetëm Partizanin, por edhe Vllazninë. Fitorja e verilindorëve i dërgoi këta të fundit tre pikë sipër skuadrës shkodrane. Në stadiumin “Loro Boriçi“ ka qenë i pranishëm edhe presidenti i kuqebluve, Alban Xhaferri, i cili tregon hapur se i interesonte triumfi i Partizanit. Ndeshja e radhës e Vllaznisë është pikërisht kundër Kukësit, ndërsa viti i ri kalendarik nis me një tjetër sfidë të rëndësishme, atë kundër Tiranës. Dy duele këto që Xhaferri i konsideron si dy finale për ekipin e tij.

“Ky është futbolli. Në një moment menduam se Partizani do të fitonte ndeshjen, por Kukësi e ktheu, urime skuadrës fituese. Nuk e prisja, autogoli ndryshoi lojën, i ra motivimi dhe Partizanit. Sigurisht që ne na interesonte fitorja e Partizanit për të mbajtur pozicionin tone.

Gjithmonë jam i mendimit se duhet të shikojmë punën tonë, duhet të fitojmë ndeshjet tona. Ndeshja me Kukësin do të jetë një finale për ne. Më e rëndësishmja për ne është që të marrim fitore me rivalin direkt, Kukësin dhe më pas vitin tjetër, në fillim të vitit, kemi një finale përsëri të fortë”, ka deklaruar Alban Xhaferri, raporton “RTSH Sport”./Halit Delibashi-Sport Ekspres/

Shpërndaje