Shkodër
Finalizohet operacioni policor i koduar “Jeran”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.
Operacioni nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat”.
Gjatë operacionit është zbuluar një ambient i përshtatur për kultivim të kanabisit, me anë të llambave, në një banesë ku kishte lidhje të paligjshme elektrike.
Është vënë në pranga pronarja e banesës dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj.
Janë sekuestruar 139 kg kanabis, fidanë narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike dhe baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e grumbulluara, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcat Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas kishte përshtatur në bodrumin e banesës së tij, një ambient për kultivimin në kushte laboratorike të bimëve narkotike cannabis sativa, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Jeran”, në kuadër të të cilit u arrestua në flagrancë shtetasja:
M. V., 42 vjeçe banuese në fshatin Jeran, si dhe është shpallur në kërkim bashkëshorti i saj, shtetasi Gj. V., 55 vjeç, banues në fshatin Jeran, Shkodër.
Gjatë zhvillimit të operacionit janë sekuestruar 139 kg lëndë bimore e dyshuar cannabis sativa, 132 fidanë të dyshuar narkotikë të kultivuar në vazo, 63 llamba elektrike, baza të tjera materiale që shërbenin për kultivimin e kanabisit nëpërmjet llambave elektrike dhe 1 automjet.
Gjithashtu, gjatë operacionit, në këtë banesë është konstatuar lidhje e paligjshme e energjisë elektrike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” kryer në bashkëpunim, “Kultivimi i bimëve narkotike” kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja e energjisë elektrike.