Tentohet vrasja e një të riu në Kamzë, policia kap autorin…

Shpërndaje

Të shtëna me armë zjarri janë ndjerë mbrëmjen e djeshme në Kamzë, ku një 32-vjeçar qëlloi disa herë me pistoletë në drejtim të një të riu me qëllim për  ta vrarë. Burime zyrtare bëjnë me dije se fill pas ngjarjes që ndodhi në mes të Kamzës ka ndërhyrë policia duke arrestuar 32-vjeçarin, të cilit iu kap edhe arma e krimit.

Fillimisht të rinjtë janë grindur me fjalë, por më pas 32-vjeçari Esat Selimaj ka nxjerrë armën duke qëlluar disa herë ndaj tij, por për fat të mirë plumbat nuk e kanë zënë të riun. Ky i fundit rezulton një emër i njohur për policinë, pasi është dënuar më herët për vjedhje.

“Shtetasi E. S., në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici.  Shërbimet e Policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit E. S., kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak”, njofton policia.

Njoftimi i policisë

Kamzë, Tiranë

Policia zbardh ngjarjen e ndodhur mbrëmë në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë dhe parandalon përshkallëzimin e një konflikti me pasoja të rënda për jetën.

Kapet dhe vihet në pranga 32-vjeçari, i cili për motive të dobëta qëlloi me pistoletë për ta vrarë një shtetas, pas një konflikti të çastit.

Policia gjeti dhe sekuestroi armën e zjarrit pistoletë me të cilën dyshohet se 32-vjeçari qëlloi në drejtim të 23-vjeçarit.

Në vijim të informacionit paraprak të dhënë mbrëmjen e djeshme për një konflikt të çastit të ndodhur në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe profesionale u bë e mundur zbardhja e konfliktit dhe parandalimi i mëtejshëm i këtij konflikti me pasoja të rënda për jetën.

Si rezultat u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë për veprat penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”, i shtetasit E. S., 32 vjeç, banues në Kamzë.

Ky shtetas, në bulevardin “Nënë Tereza”, në Kamzë, dyshohet se ka qëlluar për motive të dobëta, me armë zjarri në drejtim të shtetasit I. I., 23 vjeç, banues në Bathore, i dënuar më parë për vjedhje.

Shtetasi E. S., në një distancë rreth 50 metra, ka qëlluar me armë zjarri pistoletë në drejtim të shtetasit I. I., i cili në momentet e para, nuk e ka deklaruar këtë fakt në Polici.

Shërbimet e Policisë, gjatë këqyrjes së vendit të ngjarjes, kanë gjetur dhe sekuestruar një gëzhojë dhe më pas gjatë arrestimit të shtetasit E. S., kanë gjetur dhe sekuestruar edhe armën e zjarrit pistoletë me fishekë luftarak.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale “Vrasja me dashje” e mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtja pa leje”.

Shpërndaje