Policia e Shkodres arreston dy përsona, njëri o shpallur në kërkim…

Shpërndaje

DVP Shkodër

Vijon puna për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vihen në prangat e Policisë 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim, si dhe procedohen penalisht 2 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në DVP Shkodër, pas një pune të mirorganizuar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se shtetasi i shpallur në kërkim E. A. fshihej në banesën e shtetasit S. K., menjëherë kanë bërë lokalizimin e vendndodhjes, kapjen dhe ndalimin e shtetasit:

E. A., 28 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër, të cilit Gjykata e Rrethit Shkodër, më datë 21.10.2021 i ka caktuar masën “Arrest në burg” për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Në vijim të veprimeve u bë arrestimi në flagrancë për veprat penale “Përkrahja e autorit të krimit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, i shtetasit S. K., 55 vjeç, banues në lagjen Perash, Shkodër. Gjatë kontrollit në banesën e këtij shtetasi u gjet dhe u sekuestrua një sasi lënde e dyshuar cannabis sativa.

Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Shkodër filloi procedimi penal për shtetasin A. K., 36 vjeç, banues në fshatin Golem, Shkodër, pasi në vendin e quajtur “Ura e Shtrenjtë”, Shkodër, gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin e tij, iu gjetën dhe iu sekuestruan në cilësinë e provës materiale 4 radio si ato që përdor Policia, 3 mjete prerëse (thika) dhe fishekë.

Nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër u procedua penalisht shtetasi P. F., 45 vjeç banues në lagjen “Perlat Rexhepi”, Shkodër, pasi administronte një subjekt në lagjen “Vasil Shanto, Shkodër, që ishte i paregjistruar në organet tatimore, pa kasë fiskale dhe me një punonjës të paregjistruar.

Materialet procedurale në ngarkim të shtetasve të lartpërmendur i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprime të mëtejshme.

Shpërndaje