Intervista/ Flet Benet Beci, njeriu i qindra projekteve.
Zoti Beci, riktheheni në Shkodër, këtë rradhë jo për të takuar të afërmit në fundjavë, e as për të diskutuar ndonjë projekt me autoritetet. Kjo ardhje në Shkodër duket disi më ndryshe, disi më afatgjatë. Pse ky vendim për të hyrë në politikë nga një derë aspak komode. Me PS, në Shkodër. Nuk besoj se nuk keni patur mundësi të tjera, nisur nga “joshjet” e vazhdueshme në vite.
Është një vendim që ka ardhur në mënyrë të natyrshme pas shumë vitesh në pozicione drejtuese në nivele të larta të Fondit Shqiptar të Zhvillimit për shumë vite, dhe së fundmi të Korporatës Elektroenergjike Shqiptare. Kam pasur pozicione menaxheriale dhe nuk kam qenë i përfshirë drejtpërdrejt në aktivitet politik. Për mua personalisht ishte momenti i duhur që të përpiqem të kontribuoj në një nivel tjetër tashmë politik në shoqëri e më në veçanti në Shkodër. Gjykova se është koha e duhur, vendi i duhur dhe sigurisht partia e duhur.
Kur dhe në çfarë rrethanash ju është propozuar nga Rama që të kandidoni në Shkodër?
Kam diskutuar me Kryeministrin rreth një kandidimi të mundshëm para pak kohësh. Në momentin e parë propozimi ishte surprizë pasi siç e dini unë nuk vij nga një përvojë politike dhe për hir të së vërtetës marrëdhëniet e punës me Kryeministrin gjatë 8 viteve bashkëpunim kanë qenë thellësisht profesionale dhe të ndara nga çështjet politike. Diskutimi me Kryeministrin ka qenë shumë interesant, i orientuar te çështjet e zhvillimit të veriut në përgjithësi, dhe Shkodrës në veçanti. Gjithashtu dhe drejt nevojës që mandati i ardhshëm të jetë me fokus të veçantë tek Veriu dhe Shkodra.
Ishit i gatshëm ti përgjigjeshit pozitivisht propozimit apo kërkuat kohë?
Mora shumë pak kohë për tu menduar pasi gjithsesi përfshirja në politikë është një vendim jo i lehtë, por vendimin e mora shpejt dhe me vendosmëri. Pa asnjë mëdyshje. E shoh pozitivisht si një sfidë për të kontribuar për qytetin dhe rajonin e Shkodrës. Partia socialiste mendoj që ka dinamizmin e duhur për tu përqendruar në projekte konkrete.
Keni një baba, që mund të quhet me plot gojën erudit. I keni kërkuar një këshillë për këtë hap të rëndësishëm në karrierë? Mund të ndani me ne opinionin e tij?
Po, sigurisht babai ishte një ndër personat e parë me të cilët e diskutova. Këshilla e tij ishte: “nëse ti vetë mendon se është hap i duhur për tu bërë, atëherë edhe unë jam i bindur se është vendim i drejtë. Edhe për të, mundësia per ta përfaqësuar Shkodrën, me të cilën e lidh një jetë e tërë mes familjes e punës, është një nder shumë i madh.
Ju keni një rreth shumë të gjerë të afërmish në Shkodër. Si e pritën ata?
Mjaft mire. Kanë qenë shume mbështetës dhe më kanë ofruar me bujari gatishmërinë e tyre për të ndihmuar. Ndoshta edhe për shkak të “mbiemrit”, të gjithë në familje e shohin si respekt por edhe detyrë përfaqësimin e Shkodrës në Parlament.
Larg retorikës së përgjithshme të çdo kandidati për deputet, që flet për dashurinë që ka për qytetin, ju që konsideroheni si një person pragmatist, krahas togfjalëshit “Dashuri për Shkodrën”, çfarë do të shtonit në slloganin tuaj politik?
“Është koha për të ndërruar marsh” mbase.
Është koha që të shfrytëzohen burimet e Shkodrës për të nxitur zhvillimin me ritme me të shpejta. Një pjesë e rëndesishme e mesazhit të fushates do të jetë e përqendruar tek investimet, punësimi dhe zhvillimi ekonomik. Qyteti ka nevojë për ritëm tjetër dhe i ka të gjitha mundësitë “për të vrapuar”. Shkodra ka një kohë të gjatë në njëfarë “stanjacioni” ekonomik. Tani është koha për të punuar me të gjitha forcat për të kapur ritmin e të tjerëve.
A mund të thuhet se e njihni mire Shkodrën?
E njoh nga kujtimet e fëmijërisë. E njoh nga diskutimet në familje, nga vizitat, nga puna që më ka lidhur vazhdimisht me qytetin dhe të gjithë qarkun në tërësi. Në një aspekt unë nuk kam jetuar në Shkodër dhe nuk mund të pretendoj ta njoh sa banorët, por nga ana tjetër jam i sigurt se kam vizituar për çështje të lidhura me punën dhe investimin, çdo cep të qarkut Shkodër ndoshta më shumë se shumë banorë të tij.
Si e gjeni, tani që po kaloni kaq shumë kohë këtu?
Sigurisht, është një kohë fushate shumë dinamike dhe është e vështirë të reflektosh. Si reagim i shpejtë, do të thoja që gjendem shumë mire. Mua më ka lidhur puna me të gjithë Shqipërinë. Jo për retorike politike e për ti bërë qejfin elektoratit por nuk ka askund një vend tjetër si Shkodra. Sigurisht ky është perceptim personal pasi çdo njeri tërhiqet nga vendi ku ka rrënjët e veta, por kjo më është forcuar si bindje tani që po kaloj më shumë kohë këtu. Njerëzit e duan qytetin e tyre dhe me të drejtë duan ndryshimin.
Një argument që dëgjoj në këto ditë të para të fushatës është mosnjohja e masës së qytetarëve me personin tuaj. Duke mos qenë një personazh politik, keni qenë larg prozhektorëve. A e shihni si handicap këtë?
Jo domosdoshmërisht duhet parë si handicap; më njohin me shume njerëz nga sa e mendoja për hir të së vërtetës. Të mosqenit personazh politik, mendoj është edhe një avantazh pasi gjej tek njerëzit këto ditë dëshirë për të folur për punë konkrete përtej retorikave politike. Kjo më vjen shumë për mbarë meqenëse jam mësuar të flas më tepër nëpërmjet punës.
Kur doli emri juaj në lista, e keni menduar se do të keni goditje nga të dy anët? Të djathtët që do të thonë, ishte pranë nesh dhe u tregua mosmirënjohës, ndërsa të majtët që ju shohin si një ish-bashkëpunëtor të qeverisë Berisha që po vjen dhe merr pjesë të tortës. Interesante po ta mendosh në këtë formë…
E kuptoj që është interesante pasi është një pyetje që më është bërë shpesh këto kohë. Së pari dua të sqaroj se kjo është hera e parë që unë po përfshihem në politikë aktive. Për shkak të pozicioneve të punës kam patur marrëdhënie korrekte institucionale me ish-Kryeministrin Berisha dhe ministra e përfaqësues vendorë të PD-së e po kështu edhe me të PS-së. Unë e shoh këtë si avantazh pasi kam pasur mundësi të punoj me të gjithë faktorët politikë në vend. E gjej pak të pavend këtë idenë e mosmirënjohjes, mendoj se une dhe ekipi me të cilin kam punuar e punoj, ia kemi dalë sfidave, dhe pikërisht për këtë arsye kemi vazhduar të punojmë me të dy administratat. Kam drejtuar për shumë vite Fondin e Zhvillimit, një ndër organizatat më prestigjioze në vend, e njohur si e tillë edhe nga organizmat ndërkombëtare. Vazhdimësia, besoj se ka qenë çelësi i suksesit. Nuk mundet në të njëjtën kohë të ankohemi se “ky vend nuk bëhet”, pasi sa herë ndërrojnë partitë ndërrojnë profesionistët, dhe po ashtu të ankohemi pse nuk i ndërrojnë ato.
Sa i përket socialistëve, është e vërtetë që unë nuk vij nga një karrierë politike, por kam gjetur një pritje shumë të ngrohtë nga socialistët shkodranë, që në të vërtetë më ka surprizuar për mirë. Janë shumë të motivuar për të punuar për një rezultat të mirë në zgjedhje. Jam i sigurt që do të kem mundësinë që një pjesë të gjithë këtij kontributi t’ua kthej me punë.
Kush është personi që takoni më shumë në Shkodër gjatë këtyre ditëve? Mund ta konsiderojmë si një guru tuajin në Shkodër?
Në të vërtetë këto ditë po takoj pafund njerëz. Është e vështirë të takoj të njëjtin njeri disa herë. Unë në përgjithësi punoj me skuadër dhe kështu po punoj edhe në këtë fushatë me njerëz me te cilët kam punuar prej vitesh por edhe me njerëz të struktruave të partisë në Shkodër që i janë bashkuar me dëshirë fushatës sime. Nëse do të flasim për pikë referimi, atëherë janë padyshim njerëzit, qytetarët e jashtëzakonshëm të Shkodrës që i takoj çdo ditë nga mëngjesi në darkë. Janeë ata referimi dhe frymëzimi im për të ndryshuar Shkodrën.
Mes teknicien, menaxher dhe tashmë politikan, si preferoni t’ju quajnë?
Menaxher. Politikan akoma nuk jam mësuar, do përpiqem sidoqofte te kem te njejtin sukses edhe ne politike.
Ok, kthehemi tek fushata elektorale. Si ka nisur ajo për ju?
E vrullshme. Menaxhimi i kohës është gjëja më e vështirë. Kohën e ndaj mes takimeve me njerëz të zakonshëm çdo ditë, takimeve me struktura të Partisë Socialiste, dhe takime elektorale. Përpiqem që një kohë t’ia kushtoj edhe medias e shpërndarjes së mesazhit e platformës. Po përpiqem shumë që edhe me anë të medias sociale të kem një komunikim të drejtpërdejtë me qytetarët e të marr opinionin e tyre për çfarë duhet bërë e nga duhet filluar puna për Shkodrën.
Ku e keni përqëndruar?
Partia Socialiste ka një skuader kandidatësh të mirëorganizuar në Qark, ku secili kandidat mbulon një zonë të caktuar. Unë mbuloj një pjesë të qytetit por kam bërë e bëj takime të shpeshta edhe në zona të tjera të Qarkut.
Nëse do të rendisim tre pikat më të forta ku do të bazohet fushata juaj?
Së pari dua të bëj një fushatë të qetë, me tone normale, sa më të vërtetë dhe serioze duke shpalosur propozime konkrete për zhvillimin e qytetit e të rajonit. Jam për të vendosur ura bashkëpunimi. E kam thënë edhe më pare, Shkodra është qytet i urave. Është e papranueshme që të merremi si shembull i keqpërdorimit politik. Në fund të fundit fushata do të mbarojë pas një muaji, problemet do të mbeten po aty. Prandaj është e nevojshme të ngremë ura bashkëpunimi të gjitha palët që të merremi me punët që ka nevojë realisht qyteti dhe qarku.
Fokusi im kryesor në fushatë do të jetë ekonomia. Mungesa e zhvillimit ekonomik në ritmet e duhura është problemi kryesor që ka qyteti dhe qarku Shkodër sot. Mendoj që me një paketë investimesh publike është e mundur që të nxiten investimet private që të mobilizohen nga brenda apo jashtë vendit për të krijuar vende të reja pune dhe punë më të mira, sidomos për rininë, që të ketë alternativë reale qëndrimin në Shkodër e të mos mendojë braktisjen. Për të bërë një shembull. Kemi parë me investimin e bërë në Shirokë sesi rritet frekuentimi, se si hapen biznese të reja apo si rriten e forcohen ato ekzistueset. Tani ne kemi një program shumë të qartë për të gjithë bregun e liqenit, si një hapësirë të madhe rekreative për qytetin por edhe si vend shumë herë më i vizitueshëm nga turistë nga e gjithë Shqipëria dhe Europa. Një vend i vizitueshëm me makinë, me biçikletë, me transport publik dhe me varkë. I aksesueshëm nga Shqipëria por edhe nga Mali i Zi. Përsëri kjo hap mundësinë për rritje të bizneseve aktuale, hapje të bizneseve të reja të lidhura drejpërdrejt me turizmin (si bujtina, hoteleri e restorante etj). Nga ana tjetër turizmi ka një zinxhir të vlerës së shtuar pasi tërheq me vete sektore si bujqësia, peshkimi, transporti, kultura e kështu me rradhë.
Së fundmi në faqen time në fb kam hapur një dialog real me qytetarët për të parë si e mendojnë ato vetë të ardhmen, çfarë mendojnë se është e rëndësishme për tu bërë. Po më konsolidohet mendimi që për sektorët kryesorë të ekonomisë të kemi nga një grup pune ekspertësh shkodranë jo për fushatë por sidomos pas saj për zbatimin e një politike agresive zhvillimi.
Unë dua të punoj për një qytet dhe një rajon (në të vërtetë e shoh të pandashme Shkodrën nga zonat përreth) që është i hapur për punë, për biznes, për investime. Një qytet që njerëzit ta shijojnë, një qytet ku njerëzit të krenohen me të tashmen, jo vetëm me të shkuarën.
Zoti Beci, ka një retorikë të vazhdueshme politike, që realisht, po ta kapësh nga shifrat nuk mbetet në rang retorike: Shkodra e nëpërkëmbur nga qeveria Rama në këto tetë vite. A nuk është paksa vonë të diskutohet se këtë katër vjeçar sytë do të jenë nga Shkodra? A ju vë në siklet ky tregues aspak normal në një shoqëri demokratike?
Unë mendoj se në të vërtetë ka një retorikë të fortë politike në këtë diskutim, shoh që shpeshherë thuhen gjëra të pavërteta, por mesa duket kur përsëritet pa fund dicka ngelet.
Vetëm nga Fondi i Zhvillimit, (për të bërë një shembull pasi qeveria ka shumë instrumente investimi), gjatë 5-6 viteve të fundit janë investuar në Qarkun e Shkodrës rreth 15 projekte me një vlerë prej 50 mln Euro, dhe janë në proces investimi rreth 10 projekte të reja me një vlerë prej më shumë se 40 mln Euro. KESH po investon rreth 43 mln Euro në projekte të lidhura me energjitikën, si parqe të reja të energjisë diellore, por edhe në infrastrukturën rrugore e turistike të zonës rreth kaskadës së Drinit. Nuk mendoj se ka ndonjë nëpërkëmbje apo diskriminim siç e quajnë rëndom kandidatët e opozitës, por besoj se veriu në përgjithësi dhe Shkodra në vecanti, ka nevojë për më tepër përkujdesje e punë nga të gjithë në nivel qendror e vendor.
Si do të ndjeheshit nëse ju thonë që në Shkodër, në masë e urrejnë kryeministrin përkrah të cilit ju jeni rreshtuar?
Mendoj se urretja është një fjalë shumë e fortë që duhet ta heqim nga ligjërimi politik. Mendoj se Kryeministri e ka të gjithë vullnetin për të treguar që punë të mëdha transformuese mund të bëhen edhe në Shkodër sic ka ndodhur në qytete të tjera të Shqipërisë. Një mandat I tretë do të jetë mundësia për të bërë këtë.
Nëse hipotetikisht flasim për një mandat të tretë socialist në Shqipëri. Çfarë do ti kërkoni kryeministrit për Shkodrën sapo të uleni në parlament?
Në të vërtetë kam filluar të kërkoj që tani. Janë një paketë e rëndësishme projektesh zhvillimore me buxhet të miratuar për të cilat po kërkoj dhe do të kërkoj me shumë ritëm. Dua të fillojmë menjëherë me një sërë studimesh e projektesh, me bashkëpunëtorë së pari nga Shkodra, Shqipëria por ku është e nevojshme edhe ndërkombëtare për të pasur një seri ndërhyrjesh në qytet e rajon. Pra, në të vërtetë Kryeministrit nuk do t’i kërkoj gjë, por do t’i kërkoj vetes e kolegëve të jemi shumë aktivë në qartësimin e ideve dhe hartimit të projekteve konkrete për ndërhyrje. Kur këto ti kemi gati, patjetër do kemi edhe mbështetjen e tij për investimet e nevojshme.
Pra, në një farë mënyre do të punojmë me dy shpejtësi:
- Vënia në lëvizje dhe me ritëm e projekteve ekzistuese që nuk janë pak.
- Hartimi I një pakete më të plotë dhe afat-gjatë ndërhyrjesh për Shkodrën në konsultim me grupet e interesit dhe ekspertizë shumë të mirë.
Si do të reagoni nëse Rama nuk e mban fjalën?
Nuk mendoj se kjo është një marrëdhënie personale mbajtjeje fjale apo se kjo është një punë vetëm për Kryeministrin. Mendoj se si grup deputetësh socialiste në rradhë të parë (në të vërtetë do të shpresoja shumë edhe me deputetët e opozitës të Shkodrës), nesër duhet të punojmë fort për të pasur plane shumë të qarta e pastaj të përpiqemi në qeveri e ministri për të bërë ndërhyrjet e duhura.
Ndërkohë raportet mes qeverisë dhe pushtetit lokal në Shkodër kanë qenë një dramë më vete gjatë këtyre viteve të qeverisë Rama. Ju keni bashkëpunuar me kryetaren e Shkodrës Voltana Ademi. Mendoni se si deputet do të arrini të krijoni ura bashkëpunimi në të mirë të Shkodrës?
Po, unë jam për ura bashkëpunimi në të mirë të qytetit. Jo vetëm për slogan, por edhe si përvojë jetësore e pune, ky ka qenë lajtmotivi im. Ka me dhjetëra shembuj që mund ta dëshmojnë në Shqipëri por edhe Shkodër se kurrë nuk kam pasur asnjë problem bashkëpunimi me njeri pavarësisht krahëve politike. Kryetarët e Bashkive, komunave, deputetët e kanë pasur gjithmonë të hapur derën e zyrës sime, pavarësisht nëse kanë qenë në pushtet apo opozitë për të diskutuar problematikat e zonave dhe mundësitë e investimeve. Në këtë kontekst, të mbajmë peng të diskutimeve politike zhvillimin e qytetit dhe bashkisë më kryesore në veri të vendit më duket e pavend deri në absurd.
E nëse ajo e refuzon një bashkëpunim të mundshëm me ju?
Këtu ka pasur në të vërtetë një ngërç bashkëpunimi edhe sa i përket investimeve. Çdo investim i bërë në Shkodër ka pasur vështirësi, komente, diskutime të kota që nuk kanë ndodhur në asnjë bashki tjetër. Njëfarë bezdie do ta quaja unë nga Partia Demokratike sikur po na hyn qeveria në territorin tonë e po na bën investime.
Tani duhet të kuptojmë edhe faktin që qeveria është e të gjithë Shqipërisë dhe nevoja për projekte për investime ka në të gjitha bashkitë e vendit. Nëse për çdo projekt që vjen në Shkodër, ka vështirësi e mungesë bashkëpunimi, asnjeri nuk ka dëshirë të vazhdojë të punojë me ty. Nuk do, faleminderit investojmë diku tjetër ku janë më bashkëpunues e ta “dinë për nder”.
Kjo qasje duhet të ndryshojë patjetër, dhe unë besoj se ka për të ndryshuar. Kjo nuk është çështje individësh, pasi askush nuk është i perjetshëm në karrige, por çështje detyrash institucionale dhe ligjore; sigurisht edhe vullneti. Do të përpiqemi që të gjejmë racionalen në të gjithë këtë diskutim.
Si teknicien dhe jo si politikan, çfarë ka që nuk shkon në këtë qytet?
Ka disa gjëra që nuk shkojnë, të cilat kam patur mundësi ti shoh më herët, por edhe në takimet e deritanishme me qytetarët:
– Zhvillimi ekonomik nuk ka ritmet e pritshme, duhet të jemi më “agresivë” për rritjen e biznesit vendas dhe krijimin e kushteve për të ftuar investitorë nga jashtë Shkodrës, me projekte serioze investimi e punësimi.
– Nevoja për një transformim urban të qytetit qoftë si mundësi për zhvillimin e turizmit por edhe për përmirësimin e cilësisë së jetesës së banorëve.
– Kam marrë këto ditë ankesat e banorëve nëpër të gjithë qytetin, dhe veçanërisht lagjet periferike për mangësitë në proçesin e pastrimit të mbeturinave, që çon në lënien e tyre për ditë me radhë në rrugë.
– Qarkullimi në qytet është i vështirë dhe kaotik. Nuk ka një projekt të mirëmenduar të vendparkimeve. Gjithashtu, mungesa e korsive të biçikletave në shumë akse të rëndësishme të qytetit, është e pafalshme në një kohë që qyteti mund të krahasohet pa frikë me qytetet europiane për numrin e perdoruesve të biçikletave.
– Mungesa e hapësirave publike, rekreative për të rinjtë dhe banorët e qytetit në tërësi.
– Promovimi i Shkodrës si destinacion turistik është shumë i mangët dhe mendoj se një plan veprimi më energjik në këtë drejtim, e gjithë bashkia e qarku mund dhe do të jenë më të frekuentueshme. Në këtë kontekst, edhe promovimi i trashëgimisë kulturore të Shkodrës dhe krijimi i nje rrjeti eventesh kulturore të rëndësisë kombëtare në një qytet që prodhon pafund kulturë do të jetë me shumë rëndësi.
Në disa dalje të para tuajat, por edhe më sipër gjatë kësaj interviste nuk kishte se si të mos binte në sy diçka. Ju flisni jo politikisht në takimet tuaja, ndërkohë që jeni shprehur hapur për të bashkëpunuar me këdo nga kampi kundërshtar politik, në të mirë të Shkodrës. A është kjo një strategji për të arritur qëllimet apo një thirrje e sinqertë që mund të funksionojë?
Përvoja e punës sime është e tillë, bazuar në bashkëpunim. Pra thirrja është e sinqertë. Shpresoj fort të funksionojë, pasi njerëzit janë të lodhur nga fjalime boshe politike. Na duhet të jemi bashkë për të mbështetur një program zhvillimi.
Kjo fushatë ka një specifikë interesante. Lista e një force politike nuk është më siguri matematikore. Mund të jesh në krye të listës por rezultati në fund mund t’ju lërë jashtë parlamentit. E thënë shkurt, krahas përballjes me kundërshtarët politikë, ka dhe një betejë të heshtur brenda forcës që të ka propozuar. Ju në letër jeni në listë të sigurtë. I trembeni formulës së re?
Ndihem i nderuar nga pozicioni i ofruar në listë, i treti për Partinë Socialiste. Objektivi ynë kryesor është të marrim 4-5 mandate si parti në qarkun Shkodër, kjo është më e rëndësishme. Votat individuale çdo votues do ti japë sipas preferencës së vet dhe unë nuk i trembem asnjë sfide. Përkundrazi mendoj kjo formulë na ka bërë të gjithëve më të motivuar, për të patur sa më shumë vota individuale, por që në fund rezultojnë në meë shumë vota për partinë tonë.
Si i shihni kandidatët e opozitës? I njihni personalisht?
Po disa nga ato i njoh personalisht pasi kam pasur marrëdhënie pune në të shkuarën. Mesazhi që shpërndahet gjithë kohën të them të drejtën është përsëritës dhe shumë i zymtë. Pikturohet një Shkodër e rrënuar, e braktisur, e pajetueshme apo një bashki që urrehet nga qeveria qendrore apo Edi Rama.
Këto janë teza me një gjuhë të vjetër, e cila nuk çon në asnjë vend. Për më tepër PD ka qenë thuajse 30 vjet në drejtim të bashkisë Shkodër, prandaj nuk mund të sillen sikur nuk kanë asnjë përgjegjësi në këtë realitet të pikturuar kaq trishtë.
Do të ishte me shumë interes nëse kandidatët do të artikulonin më tepër diskutime konkrete rreth së ardhmes së qytetit.
Si e parashikoni ndarjen e 11 mandateve në Shkodër mes forcave qe kandidojne?
Sic është bërë e qartë nga kryetari i PS dhe Kryeministri, PS garon e vetme këto zgjedhje për të marrë vota të mjaftueshme për një mandat të tretë. Objektivi për Shkodrën është 4-5 mandate dhe jemi shumë të përqendruar për t’ia dalë.
Dhe së fundmi një mesazh për votuesit shkodranë. Pse duhet t’ju votojnë ju më 25 Prill?
Shkodranët me 25 Prill, duhet të shkojnë në kutinë e votimin me një ide të qartë, për të ardhmen e tyre dhe të qytetit ku kanë lindur dhe kanë zgjedhur të jetojnë.
Kanë perballë një alternativë me ide plane të qarta zhvillimore nga njëra anë, dhe një alternativë e cila kërkon të nxijë gjithçka me qëllim rikthimin në pushtet. Unë siç e theksova më sipër, nuk kërkoj votë politike e as nuk bazohem në një retorikë të tillë. Nëse vërtetë duam një Shkodër që të ecë me hapin e zhvillimit dhe të orientuar drejt së ardhmes, atëherë mundësia po ofrohet konkretisht, nga unë dhe kolegët e mij. Çdo ditë në takime ne po flasim për plane konkrete e të realizueshme që do ti ndryshojnë njëherë e përgjithmonë faqen këtij qyteti e kësaj zone, të cilës Zoti i ka dhuruar pa hesap gjithcka që duhet për tu zhvilluar. Mbetet vetëm të përveshim mëngët, të gjithë së bashku.