Vlorë/ Operacion policor për kapjen e një personi shumë të kërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Operacioni policor i koduar “Hoshtima”, zhvilluar nga Forcat Speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me DVP-Vlorë.
Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, 47-vjeçari i kërkuar, i dënuar me 25 vjet burg për vrasje, hapi zjarr ndaj forcave të Policisë duke u rrezikuar jetën e tyre, por mbetet i plagosur gjatë shkëmbimit proporcional të zjarrit.
Në zbatim të planit të masave për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore, atyre në kërkim dhe që mbajnë e qarkullojnë me armë zjarri, forcat speciale Renea, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me DVP-Vlorë, mëngjesin e sotëm, rreth orës 07:05, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Hoshtima”.
Duke marrë parasysh rrezikshmërinë e personit, si dhe informacionet që ky shtetas mbante armë zjarri, Forcat Speciale Renea dhe ato të forcës së Posaçme Operacionale, kanë bërë rrethimin e banesës së shtetasit Xhevahir Jonuzi, 47 vjeç, banues në fshatin Hoshtimë.
Gjatë vendosjes së perimetrit të sigurisë, 47-vjeçari Jonuzi ka parë forcat e Policisë dhe ka dalë me vrap nga banesa me armë zjarri pistoletë, të cilën e mbante në dorë.
Renea i ka bërë thirrje të dorëzohej dhe të hidhte armën e zjarrit, por shtetasi Jonuzi ka hapur zjarr në drejtim të forcave speciale duke rrezikuar jetën e tyre.
Në proporcion të drejtë me zjarrin e hapur nga vetë personi, Forcat speciale Renea i janë kundërpërgjigjur për ta neutralizuar dhe gjatë shkëmbimit të zjarrit Xhevahir Jonuzi, mbeti i plagosur në këmbë.
Ekipi i Reneas, i ka dhënë ndihmën e parë të plagosurit dhe e ka dërguar menjëherë në spital, ku dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Këtë shtetas Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë, e ka dënuar me 25 vite burg për veprën “Vrasja me paramendim”.
Po ndaj këtij shtetasi, në vitin 2018, Gjykata e Vlorës ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe “Kultivimi i bimëve narkotike”