Grekët zbulojnë skemën: Si e kalojnë kufirin shqiptarët dhe mjekohen në Janinë për COVID…

Shpërndaje

Qyteti i Janinës në Greqinë fqinje kategorizohet si zonë e kuqe për shkak të numrit të personave të infektuar me koronavirus.

Por, sipas statistikave të autoriteteve lokale të Janinës, për këtë ka ndikuar edhe numri i pacientëve me Covid-19 nga Shqipëria.

Kështu shprehet ish-Prefekti i Janinës, aktualisht kreu i rajonit të Epirit, Alekos Karhimanis.

“Situata epidemiologjike e Janinës ndikohet ndjeshëm nga pacientët që vijnë nga Shqipëria dhe mjekohen në spitalet e këtij rajoni”, thotë ai.

“Javët e fundit, rastet në Janinë janë rritur kryesisht për shkak të faktorëve të jashtëm, të tilla siç janë trajtimi i pacientëve shqiptarë në spitalet e Janinës. Sot 50% e pacientëve që trajtohen në njësitë e sëmundjeve infektimeve në spitalet e Janinës vijnë nga Shqipëria”, shprehet Karhimanis.

Por si arrijnë të kalojnë shqiptarët kufirin për t’u kuruar në spitalet e Janinës?

Sigurisht që bëhet fjalë për ata qytetarë të cilët kanë dokumente greke dhe lejohen të udhëtojnë drejt Greqisë.

“Shofer, ndalo pak këtu, kam dhimbje në kraharor dhe nuk ndihem mirë”. Kjo është një nga shprehjet klishe, thotë Karhimanis, që udhëtarët shqiptarë i thonë shoferit të autobusit sapo hyjnë në territorin grek. Këta persona janë të ndërgjegjshëm se janë të infektuar dhe udhëtojnë drejt Janinës për shërbim më të specializuar mjekësor.

“Ata kalojnë kufirin me një test negativ të falsifikuar dhe arrijnë që të mjekohen në Spitalin Rajonal të Janinës. Sapo kalojnë kufirin, i thonë shoferit se nuk ndihen mirë dhe kanë dhimbje në zemër, me qëllim që shoferi t’i dërgojë menjëherë në qendrën shëndetësore në Delvinaki (fshat grek pranë kufirit me Shqipërinë). Aty i nënshtrohen një testi të shpejtë anti-covid që rezulton pozitiv dhe më pas dërgohen në spitalin e Janinës”, ka thënë për Protothema një zyrtar i Bashkisë së Janinës.

I pyetur nga mediat greke përse pacientët nga Shqipëria veprojnë në këtë mënyrë, ai ka thënë: “Për një arsye të thjeshtë, sepse në vendin e tyre politika e qeverisë ndaj pandemisë është pothuajse inekzistente. Çdo gjë është e hapur, nuk ka kontrolle, dhe në rastet kur pacientët kanë simptoma të rënda iu ofrojnë vetëm bombol oksigjeni dhe i karantinojnë”.

Shpërndaje