Muzeu ‘Marubi’ klasifikohet një ndër 50 muzetë europianë më novatorë të dyzet viteve të fundit

Shpërndaje

“Revisiting Museums of Influence. Four decedes of Innovation and Public Quality in European Museum”, ka prezantuar së fundmi portretet e 50 muzeve europianë që kanë sjellë inovacionin, për nga trashëgimia dhe cilësia e ofertës kulturore përgjatë 40 viteve të fundit.

Pjesë e këtij klasifikimi, ishte dhe ‘Muzeu Kombëtar i Fotografisë Marubi’.

Në këtë klasifikim ishin disa nga muzetë europianë më të njohur, si Rijksmuseum, Hollandë; MuCEM- Museum of European and Mediterranean Civilizations, Francë; The British Galleries at the Victoria and Albert Museum, Britani e Madhe; Museum of Broken Relationships, Kroaci; War Childhood Museum, Bosnjë dhe Hercegovinë.

Kujtojmë se ky muze fotografik, mban një koleksion prej më shumë se pesëqindmijë negativësh që shtrihen nga gjysma e dytë e shekullit të nëntëmbëdhjetë, e deri në fundin e shekullit njëzet.

Muzeu “Marubi” priti në 2019 më shumë se 16 mijë vizitorë, ku çdo vit e më shumë është kthyer në një pikë kryesore për turistët vendas por dhe ata të huaj.

Në lidhje me këtë klasifikim, reagoi edhe stafi i  Muzeut “Marubi”, në rrjetin social Facebook ku u shprehën ndër të tjera se ndihen mjaft të motivuar nga ky klasifikim:

“Vlerësime të tilla na shtyjnë së pari të falenderojmë stafin, bashkëpunëtorët, miqtë e muzeut, vizitorët vendas e të huaj të cilët shpesh kanë ndarë me ne edhe përshtypjet e tyre, gjë që na ka ndihmuar edhe në cilësinë e shërbimeve të ofruara.

Kjo na motivon çdo ditë e më shumë të jemi më pranë komunitetit artdashës e po ashtu një publiku të ri, të apasionuar e të vëmendshëm ndaj trashëgimisë kulturore të lënë nga brezat e që transmetohet sot përmes formave inovative e bashkëkohore.

Ju faleminderit e shihemi te Marubi “, shkruhet ndër të tjera, në faqen zyrtare të Marubit në Facebook.

Image
ImageImageImageImage
Shpërndaje