Drejtori sportiv i KF Vllaznia z. Matko Djarmati ka dalë sot para gazetarëve jo vetëm për të prezantuar futbollistin Albion Avdijaj por edhe për të sqaruar shumë zëra rreth merkatos.
“Nuk është aspak normale një situatë e tillë. Më telefononi sepse të gjithë e keni numrin tim. Shikoni edhe faqen e klubit. Më vjen shumë keq për njerëzit sepse janë lajme të pabazuara. Me disa lojtarë jo vetëm që nuk kemi folur, por nuk ishin në planet tona. Nuk e kuptoj dot sesi dalin këto informacione. Është shkruar për Sindrit Gurin. Ai luan në Belgjikë dhe nuk mund të vijë në Shqipëri të luajë në të tilla kushte. Nuk është e vërtetë dhe u kërkoj ndjesë njerëzve për të tilla thashethem.
Ka shumë lajme që lexojmë dhe nuk janë të vërtetë, më telefononi dhe ua jap lajmin të saktë. Ka edhe medie kryesore, që marrin lajme nga faqe interneti. Sa i takon Dungës, sot ai po aplikon për vizën shqiptare. Sot ka marrë pasaportën dhe po merr vizën. Në Kenia gjërat funksionojnë ndryshe. Shpresoj që sa më shpejt ta kemi këtu. Është i lidhur nën kontratë me klubin, por është në shitje. Kush e dëshiron duhet të paguajë klauzolën e vendosur në kontratë. Ne mendojmë të plotësojmë çdo boshllëk që kanë lënë lojtarët e pakënaqur. I kemi liruar rrugën gjithkujt që nuk dëshironte të vazhdonte”