Dy mina me telekomandë do të shiteshin për 2 mijë euro në Durrës. Policia ka mundur të ndalojë 29 vjeçarin Viktor Noka, nga i cili nuk kanë mundur të marrin më shumë informacion. Por ky mbetet vetëm një ndër shumë rastet
Mbajtja pa leje e armëve shpërthyese dhe municioneve luftarake rezulton të jetë një nga veprat penale që ka pësuar rritje përgjatë vitit krahasuar me 2019.
Pavarësisht pandemisë, gjatë këtij viti policia ka evidentuar 16 raste të mbajtjes pa leje të armëve luftarake, shpërthyese dhe municioneve, nga 14 që kanë qenë vitin e shkuar.
Rastet më flagrante ku janë konstatuar mina të telekomanduara rezultojnë në qytetin e Durrësit, ku çmimi i tyre shkon deri në 1 mijë euro për copë. Vetëm në pak ditë gjatë dhjetorit u konstatuan në Durrës dhe Lezhë dy raste të trafikimit të lëndëve plasëse.
Në Lezhë u arrestuan nga policia Erol Çiçi dhe Maringlen Gruda, të cilët tentuan të trafikonin dy bomba me telekomandë për shpërthim në distancë drejt Malit të Zi.
Përgjatë vitit nuk kanë munguar dhe atentatet me lëndë shpërthyese, ku vlen të përmendet atentati ndaj Preng Gjinit. Ngjarja në fjalë u regjistrua më 15 shtator në afërsi Vasil Shantos në kryeqytet, ku 51-vjeçari mbeti i plagosur rëndë.
Kjo ngjarje pasoi më pas dhe me vrasjen e një tjetër personi, atë të Anton Kelit në Rrëshen, ngjarje e cila dyshohet se lidhet me konfliktet mes familjeve në zonën e Mirditës.