Mjeti tip ‘Benz ML’ me targë AA 131 IX është përfshirë nga flakët në momentin kur ka qenë parkuar 100 metra nga drejtoria e policisë së Elbasanit, pranë ish-gjykatës.
Mësohet se makina e djegur është e shefit të policisë në paraburgimin e Bradasheshit, Krenar Kasi.
Dyshohet se kemi të bëjë me një rast të qëllimshëm që mund të ketë lidhje me detyrën e Kasit, por nuk përjashtohet edhe një defekt i mjetit.
Disa vite më parë, Krenar Kasi ka mbajtur postin e shefit të sektorit të narkotikëve në drejtorinë e policisë së Elbasanit, më pas shef i policisë në burgun e Peqinit ndërsa së fundmi është emëruar shef i policisë në paraburgimin e Bradasheshit.
Ndërkoha policia dhe grupi hetimor ka mbërritur në vendngjarje duke sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së bizneseve që ndodheshin pranë makinës dhe kanë nisur punën për zbardhjen e rastit.