Përshkallëzimi i protestës së djeshme në Shkodër për vrasjen e Klodian Rashës, ka sjellë edhe shoqërimet e procedimet para.
Sipas policisë, janë proceduar penalisht 8 persona për organizim të tubimit të paligjshëm, ndërkohë që janë proceduar penalisht edhe 17 minorenë për shkatërrim prone.
Mes të proceduarve është edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve, në bazë të pamjeve filmike, kanë proceduar penalisht 17 minorenë, për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu janë proceduar si organizatorë të kësaj proteste, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme shtetasit Voltana Ademi, A. S., Ardit Qylybyli, Zef Gjoni, S. H. , Nikolla Marku, Lekë Marku dhe I. Q.
Njëkohësisht janë proceduar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme” edhe 21 shtetas të tjerë”, thuhet në njoftim.
Sakaq nën akuzën “Shpërdorim detyre” janë proceduar edhe dy punonjës të repartit zjarrfikës, T. M. dhe R. B., të cilët sipas policisë kanë ndërhyrë me vonesë për shuarjen e zjarrit në godinën e PS.
Protesta nisi si marshim homazh për 25 vjeçarin Klodian Rasha dhe përfundoi në një sulm të dhunshëm ndaj selisë së Partisë Socialiste në pushtet.
Adoleshentë e të rinj, thyen derën e dritaret dhe u futën brenda zyrave nga ku nxorën dokumenta e orendi dhe u vunë flakën në rrugë.