Ka shënuar tre gola deri tani në kampionat dhe do të dëshironte të shënonte edhe nesër ndaj Partizanit, por për të më shumë ka rëndësi që të fitojë Vllaznia. Sulmuesi Haris Dilaver në konferencën e sotme për shtyp është shprehur i kënaqur që është pjesë e Vllaznisë këtë sezon dhe ka kërkuar më shumë vëmendje dhe më shumë vëmendje sepse ekipi e meriton këtë gjë. Ja si është shprehur ai para gazetarëve:
“Jam i kënaqur që jam bërë pjesë e këtij klubi me shumë histori në Shqipëri, klub në të cilin më kanë mirëpritur të gjithë.
Nuk mund të them se jam 100% i kënaqur me paraqitjet e mira sepse mund të bëj edhe më mirë, por jam i kënaqur që ekipi ka treguar një ecuri të jashtëzakonshme.
Do të doja një gol ndaj Partizanit, por e rëndësishme është që ekipi të paraqitet mirë. Unë shpresoj që të bëjmë të njëjtën gjë si ndaj Kastriotit, edhe nesër.
Unë kam ardhur këtu të flas për ndeshjen e nesërme dhe nuk kam dëshire të flas për probleme të tjera. Më vjen keq kur shoh që shumë media nuk flasin sesa mirë ka luajtur VIlaznia, por merren me çështje të tjera. Kemi bërë 13 gola, jemi ekip i ri dhe kryesojmë me meritë renditjen dhe presim më shumë mbështetje.
Nuk mund të them se sa gola do të shënoj, e kam një objektiv, por nuk dua ta bëj publik.
Pika më e fortë e kësaj skuadre është trajneri, që ka një eksperiencë shumë të madhe dhe atë eksperiencë e ka transmetuar tek ne. Na vjen keq që nuk i kemi pranë tifozët, por një tjetër pikë e fortë e jona është bashkëpunimi.”