Vllaznia luan nesër ndaj Kukësit në “Loro Boriçi” dhe në prag të saj ka folur për mediat drejtori sportiv i klubit shkodran Matko Djarmati. Ai ka deklaruar se statistikat e përballjeve të viteve të fundit janë thjesht numra dhe asgjë nuk mund ta zbehë vlerën dhe historinë e Vllaznisë.
Ja si i është përgjigjur ai pyetjeve të gazetarëve:
Së pari, ju uroj Gëzuar Festën e Pavarësisë dhe uroj të kaloni një fundjavë të mirë dhe unë shpresoj që nesër pas ndeshjes, shkodranët po ashtu të kenë një fundjavë edhe më të mirë. Sa i takon Kukësit, kjo është një ndeshje e vështirë për ne. Do të kishte qenë mirë të kishim luajtur me Kukësin para dy-tre javësh kur kjo skuadër nuk ishte konsoliduar ende ashtu si duhet. Por synimet tona shkojnë shumë lart dhe për rrjedhojë e konsiderojmë një ndeshje të rradhës dhe shpresojmë ta kalojmë sa më mirë.
Statistikat janë thjesht një numër. Historia e Vllaznisë kurrsesi nuk mund të krahasohet me atë të Kukësit, është e pakrahasueshme. Me statistika dhe gjithçka tjetër jemi shumë herë më lart sesa Kukësi. Nëse flasim për Kukësin e ri, të këtyre 10 viteve të fundit, padiskutim që është një investim kolosal nga presidenti i vet, por besoj se me këtë nisje që i kemi bërë kampionatit, jemi diçka më përpara se kundërshtari ynë.
Nuk kemi të bëjmë më me atë skuadrën me 10 lojtarë me të cilët ka luajtur në ndeshjen e parë. Ka gjetur edhe portierin, një djalë të ri, Tafajn, i cili nga portier i tretë tashmë është portier i parë. Ka konsoliduar mbrojtjen, ndonëse nuk kanë këtë rradhë Horiç, por kanë lojtarë të tjerë të mirë në këtë repart. Kanë një sulm të frikshëm me Ibrahimin, Taipin, Limajn, Leira, një brazilian shumë i lezetshëm, por besoj se edhe ne jemi gati.
E kemi studiuar shumë mirë kundërshtarin, unë, trajneri dhe gjithë lojtarët, e njohim formacionin e Kukësit, e dimë mënyrën si luan ai, jemi të gatshëm dhe padyshim favoritë për të fituar sepse luajmë në shtëpi.
Ky është një lajm i mirë për klubin dhe besoj se do të jenë drejtuesit e tjerë të klubit që do të flasim për këtë çështje. Për mua nuk ndryshon asgjë. Jam tërësisht i fokusuar tek Kukësi nesër, tek Bylisi javën tjetër, vetëm këtu jam i përqendruar. Unë që ditën e parë kur kam ardhur këtu, kam dashur të flasë vetëm për sport dhe asgjë tjetër dhe do provoj ta izoloj edhe skuadrën nga kjo gjë.
Kjo është hera e parë që nuk do ta fillojmë një ndeshje kampionati me një 11-she stabël. Por, në adresën time ka patur shumë kritika pse kisha sjellur 15 lojtarë në skuadër. Kjo është arsyeja pse kemi sjellur 15 lojtarë dhe kemi ndërtuar një ekip me 25 lojtarë sepse në çdo moment sa herë të ketë ndryshime, të mos ketë ulje të nivelit të lojës. Nesër nuk do të kemi Isaevskin dhe Da Silvën, por unë nuk besoj se do të ndihet mungesa e tyre.