Policia e Shkodres: Arrestohen dy persona të tjerë për dy tonët drogë që u kapën në kufirin me Malin e Zi

Shpërndaje

Policia dha të enjten detaje të reja për sa i përket aksionit që çoi në kapjen e 2.6 tonëve marijuanë në pikën kufitare të Hanit të Hotit.

Autoritetet konfirmuan dyshimet se droga qe ngarkuar në territorin shqiptar, pasi u tha se ishin arrestuar dy persona të tjerë, njëri prej të cilëve pronar i një magazine në Lushnjë.

Dy të arrestuarit janë Arlind Tabaku 36 vjeç dhe Përparim Shurdhi 41 vjeç, nga Lushnja. Ky i fundit u përshkrua nga policia si pronari i magazinës nga ku u ngarkua sasia e drogës në kampionin e Ervis Callikut.

Policia nuk dha detaje për sa i përket personit të tretë të shpallur në kërkim, por tha se në magazinë janë gjetur materiale të shumta që mund të çojnë në dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të grupit që u përpoq të transportojë drogën.

Dy të arrestuarit, bashkë me kamionistin përballen me akuzën e “trafikimit të drogës” në bashkëpunim.

Sasia e drogës u kap pas disa muajsh hetime në bashkëpunim të autoriteteve shqiptare dhe malazeze.

Dyshohet se pas qarkullimit të kësaj sasie droge qëndron pas një grup kriminal në Shqipëri dhe se destinacioni i drogës ishte Gjermania.

Shpërndaje