Alban Xhaferi tregon objektivat e Vllaznisë: Presim finalizimin edhe me disa lojtarë të tjerë

Shpërndaje

Vllaznia është duke u treguar mjaft aktive në këtë merkato teksa kërkon të rikthehet në nivele të larta në futbollin shqiptar, pasi në vitet e fundit ka vuajtur jo pak. Sponsori i ekipit, Alban Xhaferi në një intervistë për Supersport tregon se pret ende të finalizojë marrëveshje me disa futbollistë në mënyrë që të plotësohet grupi i lojtarëve.

Ai thekson se objektivi i kuqebluve në sezonin e ardhshëm do të jetë konkurrimi i denjë si dhe kualifikimi në kompeticionet europiane.

“Jemi në një kohë shumë intensive. Grupi i punës, duke përfshirë trajnerin, po punojnë fort për të afruar pranë ekipit elementë cilësorë. Deri tani kemi finalizuar disa lojtarë, sic janë bërë publike në faqen tonë. Presim në vijim të finalizojmë edhe me disa lojtarë të tjerë, në mënyrë që të plotësohen të gjitha pozicionet, të optimizohet ekipi.

Ne hyjmë në garë me objektivin që kemi pasur, të marrim pjesë në kompeticionet europiane dhe të konkurojmë denjësisht në kampionatin shqiptar. Vllaznia të rikthehet në ato nivele ku të gjithë e presin.

Suksesi i ekipeve të Superiores në Europë? Është e jashtëzakonshme. një krenari që i jep një dimension tjetër futbollit në përgjithësi. Është një sukses që do reflektojë në mënyrë pozitive për të gjithë ne. Kështu që i uroj shumë suksese dhe Vllaznia të rikthehet vitin tjetër bashkë me këto klube dhe të ecim përpara”, u shpreh Xhaferi. /VipSport.al/

Shpërndaje