Mimoza Hafizi shpall kandidaturën për Rektore të UT-së: Bashkë do ta mundim këtë të keqe!

Shpërndaje

Ish-deputetja socialiste, fizikantja, shkencëtarja dhe profesoresha, Mimoza Hafizi, deklaron kandidaturën për Rektore në Universitetine Tiranës. Në një postim në facebook ajo njofton se e ka depozituar mbrëmë kandidaturën.

Hafizi: Pas vendimit të beftë të ministres së arsimit për hapjen e fushatës zgjedhore në universitete, mbrëmë depozitova kandidaturën për Rektore të Universitetit të Tiranës.

Përkundër kësaj, Hafizi thotë se hapja e fushatës zgjedhore në situatën e emergjencës shëndetësore që po kalon vendi, e po kështu dhe universitetet, është një nga aktet e paskrupullta të kësaj qeverie.

Hafizi: Shumë pedagogë e kanë quajtur ‘thikë pas shpine’ ndaj nesh, botës akademike. Por kjo është vetëm thika e rradhës, që mjedisi ynë pëson nga politika.

Sipas saj, zgjedhjet në datën 30 korrik, me studentët larg dhe me pedagogë në periudhë pushimesh, mund të kenë vetëm nje qëllim: shmangien e trupës zgjedhore nga procesi.

Hafizi: Zgjedhjet në mungesë të nje fushate normale komunikimesh, diskutimesh e debatesh, do të lenë gjatë shijen e hidhur të një procesi të parregullt.

Për Hafizin, vendimi  i papritur i ministres duket se i shkon përshtat shmangies së kandidaturave konkuruese, përderisa krijon mundësinë që procesi i kandidimit të mbyllet po aq papritur sa dhe vendimi i saj.

Hafizi: Por, a duhet ulur koka? A duhet lenë prapë Universiteti i Tiranës nën influencën e të njëjtit klan, që ‘lidh e zgjidh’ prej njëzet vitesh fatet e tij, sipas interesave abuzive dhe meskine të një grupi njerëzish mediokër? Nje klan që ka ‘lidhur nyje’ aspiratën dhe frymëmarrjen e bashkësisë më të madhe intelektuale që ka  Shqipëria, në konflike pa sens e pa fund. Një klan që i ka zvjedhur pedagogët me universitetin e tyre.

Me kandidimin, Hafizi thotë se vendosi të bëjë rezistencën e saj.

Hafizi: Vendimi im qe i shpejtë, për të shmangur përjashtimin nga gara, por i menduar gjatë dhe i frymëzuar nga shumë kolegë të nderuar, të cilët janë aty, në universitet, por veç e veç ndjehen të pafuqishëm përballë së keqes që po na ve tëposhtë. Bashkë besoj se e mundim këtë të keqe!

Shpërndaje