Shkodra vatër e koronavirus, 12 raste në 24 orët e fundit…

Shpërndaje

Vijon të rritet numri i personave të infektuar me COVID-19.

Tashmë Shkodra kthehet edhe njëherë në një nga vatrat e nxehta të koronavirusit në Shqipëri, duke u renditur e treta për nga numri i të infektuarve pas Tiranës dhe Durrësit.

NË 24 orët e fundit, nga 17 tamponët e marrë, 12 prej tyre kanë rezultuar pozitiv me COVID-19. Rastet e reja janë kontakte të personave të infektuar më herët në Shkodër, por ka edhe vatra të reja.

Tashmë virusi është përhapur edhe në institucione shtetërore, ku janë infektuar punonjës të ndryshëm. Në total, numri i të infektuarve aktivë në bashkitë Shkodër e Vau Dejës është 127 persona, në bashkinë Malësi e Madhe 1 person i infektuar, në bashkinë Pukë 14 persona të infektuar me COVID-19 ndërsa në bashkinë Fushë-Arrëz deri më tani nuk konfirmohen persona të prekur nga koronavirusi.

Nga rastet aktive në Shkodër dhe Vau Dejës, pjesa më e madhe janë të vetëizoluar në banesa, pasi janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe asimptomatike.

Në bashkinë Pukë, nga 14 rastet aktive, vetëm një është pacient i shtruar në spitalin Infektiv në Tiranë, nën kujdesin shëndetësor të mjekësve atje ndërsa në Malësinë e Madhe i vetmi person i infektuar është i karantinuar në kushte shtëpie.

Gjatë 24 orëve të fundit, në Qarkun Shkodër janë monitoruar 36 ofrues të shërbimeve: U monitoruan: 7 bar-kafe/restorante, 1 fast-food, 8 markete/artikuj të ndryshëm ushqimorë, 2 Pika prodhim dhe amballazhim uji, 1 pikë pagese, 1 agjensi udhëtimesh,1 kompani sigurimi, 2 dyqane rrobash, 2 dyqane këpucësh, 1 dyqan materiale ndërtimi, 6 qëndra shëndetësore/ambulanca dhe 1 parukeri. Subjektet e monitoruara zbatojnë protokollin sipas aktivitetit të tyre.

Shpërndaje