Vendimi i rëndësishëm, libra falas për të gjithë nxënësit që…

Shpërndaje

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka dhënë një njoftim të rëndësishëm në rrjetet e saj sociale duke nënvizuar se sot është miratuar në Këshillin e Ministrave propozimi i MASR për të mbuluar me libra falas të gjithë nxënësit që vijnë nga situata të brishta socio-ekonomike deri në klasën e 12-të.

“Zgjeruam skemën e librave falas!”, nënvizon ajo dhe ndalet tek rëndësia e këtij vendimi të rëndësishëm që vjen si rezultat i politikave gjithëpërfshirëse të MASR: “Nxënësit romë dhe egjiptianë, sikurse nxënësit me aftësi të kufizuara apo nxënësit përfitues të asistencës sociale – grupe tashmë të përfshira ne skemën e librave falas – kanë një rrezikshmëri më të lartë të braktisjes së shkollës së mesme.

Kjo na brengos akoma më shumë tani që gjendemi në situatë pandemie. Por me vendimin e sotëm, në kuadër të politikave gjithëpërfshirëse arsimore, ne do të ulim më tej koston e familjeve për shkollimin e fëmijëve të tyre dhe do të përmirësojmë më tutje qasjen e nxënësve në arsim”, shprehet Shahini.

Ndër të tjera, ajo thekson se kësaj skeme përfituese i shtohen të gjithë nxënësit e klasave të 6-ta dhe 7-ta duke arritur në 250 mijë numrin e nxënësve përfitues (të gjithë nxënësit e klasave 1-7 dhe të gjithë nxënësit e kategorive të veçanta deri në klasë të 12-të).

“Përkundër presionit të tërmetit të 26 nëntorit dhe pandemisë COVID-19 që rëndon mbi buxhetin publik, politikat që sigurojnë gjithëpërfshirje në arsim i kemi mbrojtur dhe do t’i mbrojmë gjithmonë”, mbyll publikimin e saj Shahini.

Shpërndaje