DPSHTRR është përfshirë së fundmi në një shpenzim miliardash për godinën e re në Shkodër.
Një denoncim që ka ardhur në gazetën Mapo, flet për dyshime të forta. Në këtë kohë të vështirë ekonomike, Drejtori i Transportit, Blendi Gonxhe, ka menduar të blejë një godinë të re për degën e Shkodrës, dhe menjëherë edhe ta rikonstruktojë atë.
Pra brenda 1 viti e gjysëm, miliarda të hedhura edhe për blerjen e truallit e godinës, edhe më tej për rindërtimin e saj.
Burime të besueshme bëjnë me dije se rikonstruksioni i godinave të degëve të DPSHTRR po bëhet masivisht këto kohë. Tendera dhe miliona që hidhen nga paratë e taksapaguesve shqiptarë.
Por, rasti i Shkodrës është specifik dhe kërkon vemendje.
Së pari, bie në sy çmimi me të cilin është kryer transaksioni. Për njohësit e zonës dhe të tregut atje, është shumë e kripur, marrja e truallit dhe e një godine kapanon aty në periferi të Shkodrës, me çmimin 980 milionë lekë, pra pothuajse 1 miliardë lekë të vjetra.
Trualli prej 5590 metra është marrë me 85 mijë lekë metri katrorë, pra rreth 475 milionë lekë. Ndërsa për godinën prej 898 metra janë paguar afërsisht 500 milionë lekë, pra mbi 560 mijë lekë metri.
Kontrata është lidhur mes Gonxhes dhe pronarit, në dhjetor të vitit 2018.
Arsyeja pse ka ndodhur kjo blerje e shtrenjtë dhe pa garë siç besohet, është se trualli dhe objekti i është marrë njeriut të partisë. Ish-prefektit, Paulin Radovani. Kontrata noteriale që po publikojmë, e zbulon këtë.
Më shqetësuese, është se pa kaluar shumë kohë, kjo zyrë e re e DPSHTRR, i është nënshtruar rikonstrukusionit, ose rindërtimit. Ekspertët mendojnë se ligji nuk e lejon që brenda dy vitesh, të investohen shumë të ndryshme me të njëjtin objekt. Pra dhe blerje zyrash, dhe rikonstruksion, i të njëjtave zyra.
Mirëpo, tek milionat që po hidhen për rikonstruksionin, sipas denoncimit që ka ardhur pranë gazetës Mapo, denoncim që duhet verifikuar, fshihet një detaj. Raportohet se komisioni i marrjes në dorëzim të objektit, ka zbuluar se mungojnë 115 metra. Pra aty në terren janë 115 metra më pak, nga sa shkruhet në kontratë. Me siguri, do të jetë e vështirë të gjesh gjurmë për këtë, përveç faktit, se objekti është real dhe fizik dhe gjendet aty.
Pyetjet që shtrohen janë:
-A kishte garë për blerjen e një trualli dhe godine të re në Shkodër nga DPSHTRR?
-A do ishin kursyer paratë e taksapaguesve, nëse do të kishte patur oferta të ndryshme?
-A gjendet akti i komisionit të marrjes në dorëzim të objektit?
-A mundet që për një vit e gjysëm, edhe të blihen zyra të reja, edhe të hidhen sërish miliona për rikonstruksionin apo rindërtimin e tyre?
Këto janë pyetje dhe çështje me interes publik, për të cilat DPSHTRR e ka detyrim të bëjë transparencë./gazetamapo/