SPAK kthen dosjet e OFL, 48 pasuri të bllokuara në kundërshtim me aktin normativ

Shpërndaje

Prokuroria e posaçme SPAK ka refuzuar sekuestrimin e 48 pasurive dhe një pasaporte të kërkuara për bllokim nga policia e shtetit në kuadër të operacionit OFL.

Në një deklaratë për hetimet e këtyre rasteve deri më 31 maj, SPAK bën me dije se një e treta e sekuestrimeve të policisë kanë rezultuar se janë kryer në kundërshtim me aktin normativ dhe për pasojë, dosjet janë kthyer mbrapsht për rishqyrtim.

Prokuroria e posaçme SPAK ka kthyer në polici për plotësim me prova kërkesat për sekuestrimin e 48 pasurive të hetuara nga operacioni forca e ligjit.

Në një deklaratë në lidhje me trajtimin e rasteve të referuara nga policia e shtetit deri në datën 31 maj 2020, SPAK bën me dje se ka paraqitur për vlerësim në Prokurorinë e Posaçme 80 raste sekuestrimesh, duke kërkuar vlerësim sekuestroje për 148 pasuri, nga të cilat 99 pasuri janë automjete dhe 49 janë pasuri të paluajtshme përshirë truall dhe objekte.

Gjithashtu në një rast është dërguar për vlerësim masa e bllokimit të pasaportës e vendosur në kushte emergjente për një shtetase.

Prokuroria e Posaçme theksi se ka marrë në shqyrtim të gjitha rastet e paraqitura dhe ka dhënë zgjidhje ligjore për të gjitha kërkesat e paraqitura nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë.

Konkretisht janë vlerësuar të ligjshme sekuestrot e bëra nga Policia dhe është kërkuar vendosja e sekuestros për 72 pasuri nga të cilat 15 prona të paluajtshme dhe 57 raste automjete.

Sipas organit të akuzës, është vlerësuar se për 48 pasuri, nga të cilat 15 prona të paluajtshme dhe 33 automjete, sekuestrimi në kushtet e emergjencës, apo kërkesa për sekuestrim e paraqitur nga Policia e Shtetit është bërë në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ.

Në këto kushte SPAK njofton se është vendosur kthimi i materialeve Policisë së Shtetit. prokuroria bëri të ditur se brenda afatit ligjor vazhdon shqyrtimi i kërkesave te Policisë për vendosje sekuestro për 28 pasuri, nga të cilat 19 prona të paluajtshme dhe 9 automjete.

Përveç pronave, policia ka kërkuar në një rast edhe bllokimin e pasaportës së një qytetari, por edhe në këtë rast, sipas prokurorisë është vendosur kthimi i saj, pasi bllokimi ishte bërë në kundërshtim me kërkesat e Aktit Normativ.

Shpërndaje