700 mijë lekë gjobë nëse nuk tregoni se vini nga një vend i prekur nga Covid-19, vetëkarantinohuni për 14 ditë

Sipas aktit normativ, të miratuar dhe të futur tashmë në fuqi, shtetasi që vjen nga një vend i prekur nga koronavirusi dhe nuk vetëkarantinohet për 14 ditë, do të gjobitet.

“Dënohet me gjobë në masën 700 000 (shtatëqind mijë) lekë:

a) Shtetasi, i cili hyn në territorin e Republikëssë Shqipërisë dhe nuk deklaron ardhjen e tij nga zonat e prekura nga infeksioni COVID-19, të deklaruara nga organet kompetente, vendase ose të huaja apo ndërkombëtare;

b) Shtetasi, i cili hyn nga zonat e prekura në territorin e Republikës së Shqipërisë, që nuk vetëkarantinohet për një periudhë 14-ditore në ambientet e banesës së tij, si një masë parandaluese për mospërhapjen e infeksionit të shkaktuar nga COVID–19;

c) Shtetasi, i cili vjen nga zonat e prekura dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm;

ç) Shtetasi, i cili ka rezultuar pozitiv dhe nuk zbaton urdhrin e dhënë nga organet kompetente për vetëkarantinimin e detyrueshëm”,  shkruhet në aktin normativ.

Bilanci i COVID-19 në Shqipëri ka shkuar në 42 të prekur.

Ndërkohë jeta në vend është paralizuar thuajse totalisht, nuk ka transport publik, po ashtu dhe shumë vende punë janë mbyllur. Shumë qytete janë në ‘shtet-rrethim’ dhe është ndaluar dhe lëvizja e makinave private.