Zbulohen neglizhencat në Gjykatën e Apelit/ Prokuroria kërkon burg për tre të arrestuarit pas vrasjes së gjyqtarit…

Shpërndaje

Prokuroria e Tiranës i është drejtuar Gjykatës me kërkesën për të caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit, pas ngjarjes së rëndë ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja. Hetimet kanë zbuluar prova të reja që ndriçojnë mënyrën se si autorët arritën të hynin në sallën e gjyqit të armatosur, ndonëse ishin palë në procesin gjyqësor.

Sipas Prokurorisë, Elvis Shkambi dhe xhaxhai i tij, Gjon Shkambi, kanë kaluar nëpër pajisjen skaner të sigurisë. Pajisja ka sinjalizuar praninë e metaleve, por punonjësi i sigurisë në Gjykatën e Apelit, B.K., nuk ka ndërmarrë asnjë veprim kontrolli fizik dhe as nuk i ka regjistruar në librin e hyrje-daljeve, siç e parashikon procedura. Ai ka qëndruar ulur në vendin e punës, duke mos reaguar ndaj sinjalit të alarmit.

Pamjet e kamerave të sigurisë të datës 6 tetor 2025, ora 13:42, tregojnë qartë momentin kur dy personat kalojnë njëri pas tjetrit në skaner, ndërsa në ekran shfaqen dritat e kuqe paralajmëruese.

Në bazë të këtyre provave, Prokuroria ka proceduar penalisht tre persona për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, “Mbajtje pa leje e armëve” dhe “Shpërdorim detyre”.

Shpërndaje