Vriten 33 ushtarë turq nga sulmi i regjimit sirian

33 ushtarë turq ranë dëshmorë dhe dhjetëra të tjerë u plagosën nga sulmi ajror i regjimit të Bashar al-Asadit në Idlib të Sirisë veriperëndimore, njoftoi guvernatori i provincës jugore turke Hatay, Rahmi Doğan, raporton Anadolu Agency (AA).

Numri i ushtarëve turq të martirizuar u rrit nga 29 në 33 pasi katër pjesëtarë të forcave turke iu nënshtruan plagëve në spital, bëri të ditur Doğan në një deklaratë për gazetarët.

“Katër pjesëtarë të Forcave të Armatosura Turke nuk arritën të shpëtojnë përkundër të gjitha intervenimeve pas sulmit ajror të forcave të regjimit të Asadit”, tha Doğan.

“Ushtarët e plagosur nuk janë në rrezik për jetë”, shtoi ai.

Në shtator të vitit 2018, Turqia dhe Rusia ranë dakord ta shndërrojnë Idlibin në një zonë deeskalimi në të cilën aktet e agresionit janë të ndaluara.

Megjithatë, më shumë se 1.300 civilë janë vrarë nga sulmet e regjimit dhe forcave ruse në zonën e deeskalimit që atëherë, pasi armëpushimi ka vazhduar të shkelet.

Zona e deeskalimit aktualisht është shtëpi e katër milionë civilëve, përfshirë qindra mijëra të zhvendosur në vitet e fundit nga forcat e regjimit në të gjithë vendin.

Më shumë se 1,7 milion sirianë janë zhvendosur afër kufirit turk si pasojë e sulmeve intensive.

Që nga shpërthimi i luftës së përgjakshme civile në Siri në vitin 2011, Turqia ka pranuar rreth 3,7 milionë sirianë që ikën nga vendi i tyre, duke e bërë atë vendin me më shumë refugjatë në botë.