Vrasje apo aksident? Hetimet për vdekjen e Mirel Çokajt në Malësinë e Madhe…

Shpërndaje

Prokuroria e Shkodrës ka nisur hetimet për vdekjen e 40-vjeçarit Mirel Çokaj, i cili u gjet i pajetë në një humnerë në zonën malore të Kelmendit, Malësi e Madhe. Fillimisht policia e kishte klasifikuar ngjarjen si rrëzim aksidental, por pas dyshimeve të ngritura nga familjarët, çështja po hetohet për veprën penale “shkaktim i vetëvrasjes”, me mundësi që të rikualifikohet më vonë.

Dyshimet u shtuan pas ndërhyrjes së një të afërmi të viktimës, Rifat Çokaj, ish-oficer policie që sot jeton në SHBA. Ai ngriti pikëpyetje mbi rrethanat e vdekjes, duke bërë që policia të kryente veprime shtesë hetimore.

Ngjarja ndodhi më 18 shtator, në fshatin Kozhnje. Trupi i Mirel Çokajt u lokalizua me dron dhe u nxor një ditë më pas nga humnera me ndihmën e një helikopteri të ushtrisë. Sipas familjarëve, para ngjarjes 40-vjeçari kishte qenë në një parcelë kanabisi, të cilën e kishte në ortakëri me persona të tjerë. Ata dyshojnë se konflikti për ndarjen e fitimeve mund të ketë çuar në vrasjen e tij, duke e shtyrë drejt humnerës.

Dyshimet janë forcuar edhe nga fakti që telefoni i tij nuk është gjetur, ndërsa rruga që ai kishte ndjekur atë ditë ishte ndryshe nga ajo që përdorte zakonisht për të shkuar te parcela.

Në parcelën ku ai punonte, policia gjeti dhe asgjësoi 780 bimë kanabisi, duke konfirmuar se viktima ka qenë i përfshirë në ruajtjen e saj. Hetuesit po marrin në pyetje familjarët, të afërmit dhe personat e dyshuar për të zbardhur nëse kemi të bëjmë me një aksident tragjik apo një vrasje të mirëorganizuar.

Shpërndaje