VIDEO/ Restoranti shqiptar që sfidon Covid dhe ligjet amerikane…

Pronarja shqiptare e një restoranti në Arizona po shndërrohet në heroinën e të gjithë atyre që kundërshtojnë masat për frenimin e përhapjes së COVID-19.

Ajo është Merita Kraja, pronare e restorantit ‘Euro Pizza Cafe’, e cila ka vendosur të sfidojë rregullat e emergjencës për të shmangur falimentimin e biznesit të saj.

Kraja nuk i është bindur paralajmërimeve të policisë lokale për të hequr karriket jashtë restorantit të saj në një lagje periferike të Feniksit, kryeqytetit të shtetit federal të Arizonës.

Masat e emergjencës që hynë në fuqi më 19 Mars me dekret të Guvernatorit republikan parashikojnë që restorantet t’u shërbejnë klientëve vetëm për të marrë ushqime me vete dhe jo për t’i konsumuar në ambientet  e restorantit.

Kraja argumenton se karriket jashtë restorantit që shfrytëzohen shumë nga klientët këto ditë, ku shumica e lokaleve janë mbyllur, ndodhet në një ambient të hapur dhe publik që nuk është përgjegjësi e saj.

“Teknikisht është hapsirë publike, ndaj dhe ata mund të bëjnë ç’të duan. Nuk i kontrolloj dot unë ku shkojnë, që kur dalin nga lokali dhe nuk i ndjek dot nëpër parqe”.

Ajo ka vendosur të nisë një proces gjyqësor kundër policisë për fyerje dhe ngacmime dhe ky është i pari proces ligjor që hapet në këtë shtet federal kundër masave të emergjencës.

Në rrjetet sociale po shtohen mbështetësit për kauzën e saj. Në këtë mënyrë është shtuar edhe presioni ndaj Guvernatorit të Arizonës, për të mos e shtyrë përtej 30 Prillit ligjin e emergjencës, pasi kundërshtarët paralajmërojnë protesta popullore.

Tv Klan