VIDEO/ Arrestohen 3 shkodranë në Lezhë, iu gjetën në automjet 40 kg kanabis…

Lezhë/ Finalizohet operacioni policor i koduar “Zadrima”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.

Operacioni nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Lezhë dhe Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Lezhë.

Gjatë operacionit janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale 40 kilogramë cannabis sativa, 2 automjete dhe 3 celularë.

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po transportonin lëndë narkotike, me 2 automjete, në rrugën nacionale Shkoder – Lezhë, u organizua dhe u finalizua operacioni policor i koduar “Zadrima”.

Si rezultat, u bë lokalizimi dhe ndalimi i dy automjeteve. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin I. D., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 5 thasë plastmasi të mbushur me material bimor të dyshuar lëndë narkotike kanabis, e cila pas peshimit rezultoi 40 kilogramë. Në automjetin tjetër tip “Seat” ndodheshin shtetasit D. M. dhe E. A., të cilët shoqëronin automjetin ku u gjet lënda narkotike.

Në përfundim të veprimeve të para hetimore u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: I. D., 31 vjeç, E. A., 28 vjeç dhe D. M., 37 vjeç, të tre banues në Shkodër.

Nën drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim.