Urdhri i Psikologut në ngërç: Treska refuzon dorëzimin e detyrës, gjykata i jep të drejtë Nikës…

Shpërndaje

Pavarësisht se janë zhvilluar dy palë zgjedhje dhe janë zgjedhur presidentë të rinj të Urdhrit të Psikologut, Altin Nika e Brunilda Laboviti, drejtimin e institucionit vijon ta mbajë ende Valbona Treska. Ajo akuzohet se ka uzurpuar detyrën në kundërshtim me ligjin, duke mos zbatuar vendimet e Asamblesë së Urdhrit. Situata është shoqëruar edhe me beteja të shumta gjyqësore, ku më e fundit është ajo në Gjykatën Administrative, me gjyqtar Marko Boshkon, e cila i dha të drejtë Nikës pas një sërë procesesh të gjata ligjore.

Në maj 2024, psikologët zhvilluan një Asamble të jashtëzakonshme dhe votuan për presidentin e ri, ku fitues u shpall Altin Nika. Megjithatë, Treska refuzoi të njihte vendimin dhe nuk pranoi të dorëzonte detyrën, duke e çuar çështjen në gjykatë.

Kur në qershor 2025 i përfundoi mandati, u mbajt një tjetër Asamble ku në garë hynë Brunilda Laboviti dhe Elena Mustafaraj. Laboviti fitoi me 238 vota kundrejt 140 të rivalës, por as këtë herë Treska nuk pranoi ta njohë rezultatin, pavarësisht edhe ndërhyrjes së policisë.

Ndërkohë, Nika u përjashtua nga gara përmes një mase disiplinore të vendosur nga Urdhri, duke e penguar të kandidonte. Ai iu drejtua Gjykatës Administrative, e cila e shfuqizoi vendimin, duke e cilësuar të paligjshëm. Sipas ligjit, sigurimi i padisë ka efekt të menjëhershëm dhe duhet zbatuar, por Urdhri nuk e hoqi masën disiplinore. Kjo e detyroi Nikën të kërkojë zbatimin e vendimit përmes Përmbarimit Shtetëror.

Edhe pse Urdhri e kundërshtoi këtë veprim në gjykatë, Gjykata Administrative rrëzoi ankesën, duke e konsideruar të ligjshme ndërhyrjen e përmbarimit dhe duke hedhur poshtë pretendimet e Valbona Treskës.

Pas këtij vendimi, Nika paralajmëroi padi penale ndaj Valbona Treskës, Komisionit të Etikës dhe Këshillit Kombëtar, me argumentin se ata kanë injoruar vendimet gjyqësore dhe i kanë shkaktuar dëm të konsiderueshëm moral dhe material.

Shpërndaje