Turqi, gjykata anulon vendimin e vitit 1934 me të cilin Ajasofja u shndërrua në muze

0
46

Këshilli i Shtetit në Turqi, gjykata më e lartë në vend për çështjet administrative, ka anuluar vendimin e 24 nëntorit të vitit 1934 me të cilin xhamia Ajasofja u shndërrua në muze, transmeton Anadolu Agency (AA).

Shoqata e Shërbimeve të Përhershme për Vakëfet, Monumentet Historike dhe Mjedisin ngriti padi në Këshillin e Shtetit me kërkesën e anulimit të vendimit të Këshillit të Ministrave të vitit 1934.

Dhoma e 10-të e gjykatës më 2 korrik e shqyrtoi çështjen duke organizuar një seancë dëgjimore për palët.

Pas dëgjimit, dhoma dha vendimin në lidhje me çështjen, duke anuluar vendimin e vitit 1934.

Sipas vendimit të plotë të gjykatës, Ajasofja është në pronësi të vakëfit të krijuar nga Sulltan Mehmet Fatihu dhe ishte paraqitur për komunitetin si xhami.

Në vendim thuhet se në tapinë e saj, Ajasofja përkufizohet si “xhami” dhe kjo nuk mund të ndryshohet me ligj.

Vendimi konkludon se juridikisht nuk është e mundur që ndërtesa të dedikohet për përdorime të tjera përveç si xhami, siç përkufizohet në dokumentin e saj.

Shoqata e Shërbimeve të Përhershme për Vakëfet, Monumentet Historike dhe Mjedisin për herë të parë në vitin 2005 kishte nisur procedurë gjyqësore në lidhje me Ajasofjën në Këshillin e Shtetit. Shoqata kërkonte që të anulohet vendimi i 24 nëntorit të vitit 1934.

Këshilli më 24 qershor 2005 e refuzoi kërkesën për anulimin e vendimit. Ndërkaq, në vitin 2008, kishte hedhur poshtë çështjen duke theksuar se nuk kishte asnjë shkelje në përdorimin e xhamisë Ajasofja si muze.

Ndërkaq, shoqata sërish në vitin 2016 nisi procedurë gjyqësore.

Ndërkohë, në një apelim tjetër individual të Shoqatës në Gjykatën Kushtetuese, vendimi ishte marrë në vitin 2018. Gjykata e lartë e kishte hedhur poshtë si të papranueshëm apelimin e bërë me arsyetimin se refuzimi i kërkesës për hapjen e Ajasofjës për adhurim shkel lirinë e fesë dhe ndërgjegjes.

PËRGJIGJU