
Në Tiranë është zhvilluar sërish një tubim në mbështetje të Palestinës dhe kundër sulmeve të ushtrisë izraelite në Gaza.
Protesta u mbajt në Sheshin “Skënderbej” me thirrjen e disa organizatave të shoqërisë civile, ku qindra qytetarë kërkuan ndalimin e masakrave dhe liri për Palestinën.
Të pranishmit mbanin pankarta me mesazhe si: “Liri për Palestinën”, “Ndalo gjenocidin në Gaza”, “Popujt kryengritës bëjnë histori”, “Izraeli ka kryer krime kundër njerëzimit në Gaza”, “Ndalo bombardimin në Gaza” e të tjera.
Një nga organizatorët, aktivisti Floriar Arapi, theksoi se mbështetja për Palestinën ka qenë e vazhdueshme që nga fillimi i konfliktit, i cili, sipas tij, u shndërrua shpejt në gjenocid dhe spastrim etnik. Ai shtoi se kjo kauzë është përqafuar nga njerëz të lirë në mbarë botën përmes protestave masive.
Edhe më parë në Tiranë janë organizuar manifestime të ngjashme në solidaritet me popullin palestinez dhe për dënimin e veprimeve të Izraelit në Gaza.
Sipas të dhënave, numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite që prej 7 tetorit 2023 ka kaluar mbi 65.344, ndërsa enklava e Gazës vazhdon të përjetojë shkatërrime masive dhe një krizë të rëndë urie.





