Të shtëna me armë zjarri në Tiranë pas konfliktit mes dy komshinjve…

Të shtëna me armë zjarri janë dëgjuar mbrëmjen e së enjtes në kryeqytet. Mësohet se ngjarja ka ndodhur të “Kodra e Diellit” pas një konflikti mes dy komshinjve. Një prej tyre ka plagosur tjetrin me armë zjarri.

Paraprakisht dyshohet se Olsi Bllaci pas një konflikti ka plagosur me armë zjarri komshiun e tij, Jonian Shehu. I lënduari, një 35-vjeçar, mësohet se ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Ndërkohë, autori është identifikuar dhe po punohet për kapjen e tij.

NJOFTIMI

“Tiranë/Informacion paraprak

Plagosi me armë zjarri fqinjin e tij, identifikohet e shpallet në kërkim autori.

Më datë 27.10.2022, rreth orës 21:50, është paraqitur në Spitalin e Traumës për ndihmë mjekësore, shtetasi J. Sh., 35 vjeç, i plagosur me armë zjarri.

Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, kanë shkuar në vendngjarje, te Kodra e Diellit, dhe kanë bërë të mundur identifikimin dhe shpalljen në kërkim të autorit të dyshuar shtetasit O. B.

Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi O. B., pas një konflikti ka plagosur me armë zjarri shtetasin J. Sh.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes. Vijon kontrolli i zonës për kapjen e autorit të dyshuar të ngjarjes.”