Tatimet: Si të çregjistroni pajisjet fiskale në rast përdorimi të një zgjidhjeje softuerike

Subjektet që nuk i përdorin më kasat fiskale, pasi kanë zbatuar zgjidhjet softuerike të certifikuara duhet t’i çregjistrojnë ato.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, në vijim të interesimit të vazhdueshëm të subjekteve tatimpagues që kanë implementuar dhe po përdorin një zgjidhje softwar-ike të certifikuar para fillimit të efekteve të ligjit nr. 87/2019, “Për faturën dhe sistemin e monitorimit të qarkullimit” i ndryshuar dhe nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, ka sqaruar të gjithë subjektet e interesuara për sa vijon:

Të gjithë tatimpaguesit që kanë zgjedhur të lëshojnë fatura për transaksionet me para në dorë nga një zgjidhje softuerike e certifikuar dhe për rrjedhojë nuk po përdorin më pajisjet fiskale të instaluara, duhet të marrin masat për të kryer procedurën e cregjistrimit të këtyre pajisjeve fiskale në përdorim.

Për këtë qëllim, subjekti tatimpagues njofton organin tatimor zyrtarisht në rrugë shkresore apo elektronike nëpërmjet plotësimit të një kërkese të përpiluar vetë nga tatimpaguesi, ku thekson se ka implementuar një zgjidhje softëar-ike të certifikuar dhe kërkon të kryejë çregjistrimin e pajisjeve fiskale që nuk i përdor më. Kërkesa shoqërohet me të dhënat identifikuese të zgjidhjes softëare-ike në përdorim ose kopje e kontratës së instalimit dhe mirëmbajtjes nga shoqëria e zgjidhjes softëar-ike.

Pas miratimit të kërkesës nga ana e Administratës Tatimore, shoqëria e autorizuar kryen cregjistrimin e pajisjes fiskale dhe ruan memorien fiskale të saj.

Çregjistrimi i pajisjeve fiskale që nuk përdoren nga ana e çdo subjekti tatimpagues është një detyrim ligjor i tyre.

Nga 1 korriku nisi faza e dytë e fiskalizimit për transaksionet pa para në dorë mes subjekteve. Në këtë fazë përfshihen 34 mijë subjekte.

Nga 1 shtatori pritet të fillojë zbatimi i fazës së tretë së fiskalizimit për transaksionet në cash mes bizneseve dhe konsumatorëve. Në total pritet të përfshihen 100 mijë subjekte (të gjitha përveç ambulantëve). Bizneset mund të përshtasin kasat fiskale, ose të aplikojnë zgjidhjet softuerike të certifikuara.