
Nga Ergys Mërtiri
Hetimi i Ballukut është një lajm i rëndësishëm që shenjon një moment kyç në shkatërrimin e imazhit të kësaj qeverie. Nëse vërtet Balluku do të shkojë para drejtësisë, ashtu si Veliaj e të tjerë, kjo do ishte një goditje tjetër dërrmuese për qeverinë e cila do ta ketë gjithmonë e më të vështirë të legjitimojë veten.
Për këtë arsye, opozita do të duhet të ishte sot në krah të Dumanit. Ajo do të duhet të shprehte mbështetje ndaj tij. Fatkeqësisht ajo bëri të kundërtën. Ajo u përpoq me zjarr të kafshojë kreun e SPAK-ut duke sulmuar e përbaltur punën e tij me një gjuhë krejtësisht agresive. Deputetët e saj përveshën mëngët për tu hedhur në sulm si gladiatorë kundër Dumanit, në përpjekje të shëmtuar për të shprehur servilizmin ndaj shefit të tyre.
Ata e akuzuan Prokurorinë e Posaçme si shërbëtore të Edi Ramës, pikërisht atë prokurori që po fakton të vërtetat e turpshme të kësaj qeverie dhe po çon para përgjegjësisë bashkëpunëtorët më të afërt të Kryeministrit. Ata ia njohën kështu vetë Ramës meritën për luftën kundër korrupsionit, duke i bërë atij shërbimin më të madh.
Pyetjet e deputetëve sot treguan nivel të mjerueshëm, në përpjekje qesharake për të bërë politikë në një seancë ku do të duhej treguar nivel i lartë përgjegjëshmërie. Pyetjet që do të duhet ti ishin drejtuar sot Dumanit, duhet të kishin të bënin me nevojat e Prokurorisë për pavarësi nga qeveria.
Ata duhet të trajtonin sot shkurtimin e fondeve që Rama po i bën SPAK-ut, presionet, nevojën për zgjatje mandatesh, për shtim kapacitetesh, për infrastrukturë etj, në mënyrë që prokurorëve t’iu krijohet komoditeti i duhur për ti çuar deri në fund hetimet e nisura, apo të tjera që mund të jenë në plan. Ata nuk bën këtë, por bombartuan me patetikë e cinizëm, pikërisht të vetmen opozitë që Rama ka sot përballë: SPAK-un.
Maxhoranca në krahun tjetër doli krejtësisht e fituar. Ndryshe nga opozita, deputetët e saj qendruan në heshtje me kodoshllëk duke e lënë të besohet se ajo çfarë po thotë opozita është e vertete: SPAKU është instrument i Ramës, dhe të korruptuarit e qeverisë së tij po i dënon vetë Rama. Në këtë mënyrë, falë kontributit të “kundërshtarëve”, ata korrën një fitore të madhe në ditën e tyre më të zezë, ku do të duhet ta kishin vërtetë ngushtë.
Kuadrin e plotësojnë pastaj në darkë, analistë e ish-prokurorë që nuk kanë kaluar vetingun, që gjejnë rastin të sulmojnë të vetmin institucion që po tregon pavarësi dhe integritet në një vend të kapur në çdo qelizë.




