SPAK merr të pandehur 4 persona për atentatin në Bushat, zbardhet shkëmbimi i zjarrit në Rranxë…

Shpërndaje

SPAK ka marrë të pandehur Samuel Troshanin, Franko Lekën dhe Izmir Sakicën, të cilët dyshohen se kanë organizuar një atentat ndaj Aleksandër Prendit dhe familjarëve të tij në zonën e Bushatit, në Vau të Dejës.

Sipas hetimeve, grupi i armatosur kishte hyrë në fshatin Rranxë me mjete të blinduara dhe me qëllim ekzekutimin e Prendit. Por sapo kanë mbërritur në zonë, ndaj tyre është hapur zjarr nga vetë Aleksandër Prendi, duke sjellë një shkëmbim zjarri mes palëve.

Nga ngjarja nuk pati persona të plagosur, por vetëm dëmtime materiale në automjete. Një prej mjeteve të përdorura nga grupi rezultoi pa regjistrim dhe me targa të huaja që nuk i përkisnin automjetit.

Prokuroria e Posaçme ka ngritur ndaj tre të dyshuarve akuzat për “vrasje në rrethana cilësuese” të mbetur në tentativë, “sigurim kushtesh për kryerjen e vrasjes” dhe “armëmbajtje pa leje”, në kuadër të grupit kriminal.

Ndërkohë, edhe Aleksandër Prendi është marrë i pandehur për “vrasje në tentativë”, pasi hetimet kanë arritur në përfundimin se ai ka qëlluar me armë ndaj grupit që hyri në zonë.

Aktualisht në burg ndodhen Izmir Sakica dhe Samuel Troshani, të cilët janë vetëdorëzuar më herët në polici, ndërsa Franko Leka dhe Aleksandër Prendi vijojnë të jenë në kërkim.

Shpërndaje