“Simptomat për t’u patur kujdes”, zyrtarja amerikane flet për sindromën e rrallë tek fëmijët që preken nga koronavirusi: Nëse nuk identifikohet herët…

“Përgjithësisht, nëse identifikohet herët, ekziston një kurë efikase dhe zakonisht nuk lë pasoja afatgjata”, u tha gazetarëve për sindromën Dr. Oxiris Barbot, Komisionere për Shëndetësinë e qytetit të Nju Jorkut. “Megjithatë, nëse sindroma nuk identifikohet herët, mund të ketë pasoja afatgjata, më së shumti të lidhura me probleme të vazhdueshme të zemrës”.

Departamenti i shëndetësisë i qytetit tha në një njoftim se 15 fëmijë të moshës 2-15 vjeç janë shtruar në spital me sindromën Kawasaki në dy javët e fundit. Katër prej tyre kanë rezultuar pozitivë me COVID-19, sëmundja e shkaktuar nga koronavirusi.

Njëmbëdhjetë të tjerë dolën negativë, por gjashtë prej tyre ishin pozitivë për antitrupat e COVID-19, duke treguar që ata ishin infektuar më parë me virusin. Pesë nga fëmijët kishin nevojë për ndihmë për frymëmarrjen me respirator. Të gjithë 15 fëmijët mbijetuan.

Zonja Barbot tha se një numër i vogël i rasteve janë raportuar gjithashtu në qytetet verilindore të Filadelfias dhe Bostonit. Mjekët në Britani gjithashtu kanë dokumentuar simptomat e Kawasakit.

“Nuk jemi të sigurt se çfarë të bëjmë për këtë”, tha Komisionerja. “Ne ende mësojmë çdo ditë se si sillet COVID-19, jo vetëm nga pikëpamja e shëndetit publik, por edhe nga këndvështrimi klinik.”

Simptomat për t’u patur kujdes
Zonja Barbot tha se simptomat përfshijnë ethe të larta për disa ditë, sy të kuq, skuqje, dhimbje barku, enjtje të duarve dhe këmbëve dhe buzëve dhe gjuhës me ngjyra të ndezura, të njohur si “gjuha e luleshtrydheve”. Kawasaki zakonisht trajtohet me imunoglobulinë dhe aspirinë.

Në përgjithësi, fëmijët janë prekur lehtë nga COVID-19, por ka pasur raste të rënda dhe disa vdekje në Shtetet e Bashkuara. Zonja Barbot tha se lloji i virusit që Nju Jorku po përjeton po sillet pak më ndryshe sesa ai në Kinë. “Prandaj, ne po shohim fëmijë me sindromat Kawasaki dhe të lidhura me të”, tha ajo.

Komisionerja u bëri thirrje prindërve që të monitorojnë nga afër çdo simptomë dhe të kontaktojnë mjekun e fëmijës së tyre nëse pikasin shenja të sëmundjes. Ajo gjithashtu tha që mjekëve u kërkohet të raportojnë në departamentin e shëndetësisë kur shohin prezantime atipike të kushteve, sepse kjo mund të ndihmojë zyrtarët shëndetësorë të kuptojnë më mirë se si po ndikon virusi në qytet.

I pyetur nëse ky zhvillim mund të ndikojë në rihapjen e shkollave të Nju Jorkut në Shtator, Kryebashkiaku Bill de Blasio tha se ai ka përqasjen “siguria e para” dhe se çdo sfidë e caktuar do të ishte pjesë e strategjisë së përgjithshme të rihapjes./VOA/