Si prodhuesit e miellit i shpëtuan gjobave totale për më shumë se 500 milionë lekë…

Ditën e mërkurë, Komisioni i Konkurrencës vendosi me shumicë të thjeshtë votash të mos ndërmarrë sanksione ndaj katër kompanive në tregun e importit të grurit dhe importit, prodhimit e tregtimit të miellit. Indrit Reka, Drejtor i Kabinetit të Kryetares së Komisionit të Konkurrencës shpjegon për “Monitor” se grupi i inspektimit dhe Sekretariati i Autoritetit të Konkurrencës i patën propozuar Komisionit vendosjen e gjobave ndaj katër ndërmarrjeve që veprojnë në këtë këto tregje, në shuma që varionin nga 3% deri në 10% të xhiros së vitit financiar paraardhës. Në total, gjobat e propozuara preknin një shifër prej më shumë se 500 milionë lekësh ose rreth 4.1 milionë euro. Neni 74 i ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës” klasifikon si shkelje të rënda marrëveshjet e ndaluara dhe abuzimin me pozitën dominuese. Për këto shkelje, firmat mund të ndëshkohen me gjobë deri në 10% të xhiros vjetore.

Në përfundim të monitorimit të tregut, inspektorët arritën në konkluzionin se kompanitë Agro Blend, Bloja, Miell Tirana dhe Atlas Mills nuk kanë respektuar detyrimet e vendosura në vendimin e muajit korrik 2020. Vendimi ngarkonte firmat me detyrimet e parashikuara në nenin 4 të ligjit “Për Mbrojtjen e Konkurrencës”, që përkufizon sjelljet e klasifikuara si marrëveshje të ndaluara. Më konkretisht, kompanitë nuk duhet të caktojnë, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, çmimet e blerjes ose të shitjes, apo çdo kusht tjetër tregtimi; nuk duhet të kufizojnë ose kontrollojnë prodhimin, tregjet, zhvillimin teknik ose investimet dhe të mos ndajnë tregjet ose burimet e furnizimit. Hetimi i thelluar në këtë treg u mbyll me vendimin e datës 30.07.2020, me konstatimin e sjelljes së bashkërenduar midis ndërmarrjeve Agro Blend SHPK, Miell Tirana SHA, Bloja SHA, Atlas SHA dhe Atlas Mills SHPK, në tregun e importit të grurit, importit, prodhimit dhe tregtimit të miellit, pasi këto ndërmarrje kanë bashkërenduar sjelljen duke caktuar çmimet e shitjes dhe duke kontrolluar prodhimin në tregun e miellit për shkak të integrimit vertikal. Z.Reka nënvizon se vendimi në fjalë nuk u ankimua nga kompanitë objekt hetimi, as në rrugë administrative pranë Autoritetit të Konkurrencës dhe as në rrugë gjyqësore.

Megjithë konstatimin e sjelljes së bashkërenduar, Komisioni vitin e kaluar nuk ndërmori sanksione dhe u mjaftua me vendosjen e detyrimeve dhe me mbajtjen e tregut në monitorim për një vit. Mbyllja e fazës së monitorimit këtë vit përkoi me rritjen e çmimit të bukës nga disa prej prodhuesve. Një nga shkaqet e përmendura prej tyre është rritja e çmimit të miellit, çka shkaktoi një ndjeshmëri të shtuar të publikut për këtë çështje. Z.Reka thotë se raporti i monitorimit i dorëzuar nga Sekretariati u miratua unanimisht dhe pa vërejtje nga anëtarët e Komisionit të Konkurrencës. Megjithatë, në mbledhjen e të mërkurës shumica e tyre ishin të mendimit se raporti nuk provonte ekzistencën e shkeljeve të rënda të ligjit “Për mbrojtjen e Konkurrencës” dhe votuan kundër ndëshkimit me gjobë. Në favor të propozimit votuan vetëm kryetarja e Komisionit të Konkurrencës, Juliana Latifi dhe anëtari, Eduart Ypi./Monitor/