Shtyhet sërish afati i rivlerësimit të banesave…

Këshilli i Ministrave ka vendosur në mbledhjen e tij të fundit që të shtyjë sërish afatin e rivlerësimit të pasurive të paluajtshme.

Teksa ky afat përfundonte në 31 dhjetor 2020, tashmë është shtyrë për në 30 shtator 2021.

Kjo është hera e dytë që afati shtyhet. I parashikuar fillimisht që të mbyllej në 30 tetor të këtij viti, qeveria vendosi që periudha të zgjatej deri në fund vit dhe tashmë të gjithë ata që duan të bëjnë rivlerësimin e pasurive të paluajtshme kanë edhe 9 muaj kohë, që të përfitojnë nga rivlerësimi i pronës me 3%.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës ka sqaruar se për t’u pajisur me shërbimin e rivlerësimit mundeni të aplikoni online tek portali e-Albania ( tek shërbimet e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës) duke ndjekur hapat e njëpasnjëshme sipas udhëzimeve në sistem.

Individi mund të zgjedhë vullnetarisht nëse rivlerësimin e pasurisë do ta bëjë Agjencia Shtetërore e Kadastrës (ASHK) apo një ekspert i vlerësimit të pasurive, i licencuar nga institucionet përkatëse.

“Nëse vlerësimin e pasurisë keni zgjedhur ta bëni me një ekspert të licencuar paralelisht me aplikimin online duhet të dërgoni raportin e rivlerësimit origjinal pranë adresës së drejtorisë përkatëse ASHK ku administrohet prona juaj. Kthimin e përgjigjes për përllogaritjen e tatimit, si dhe pagesen e aplikimit i gjeni tek mandatpagesa tek “Dokumentat e mia”. Më pas vijoni me pagesën online, me postë ose nëpërmjet bankës Credins dhe një kopje të mandatit të arketimit e ngarkoni në vijim të aplikimit ekzistues.”