Shqipëria drejt zbrazjes, 200 mijë më pak prej vitit 2021, bien edhe lindjet. Shtohen vdekjet…

Viti i shkuar ka shënuar dyfishim të shqiptarëve që janë larguar nga vendi. Madje sipas të dhënave të INSTAT prej vitit 2008 popullsia ka rënë me 200 mijë persona ndërsa është rritur dhe mosha mesatare e banorëve.

Popullsia e Shqipërisë është duke u tkurrur me ritme të shpejta.

Instituti i Statistikave vlerëson se më 1 janar të këtij viti vendi ynë regjistron rreth 2.8 milionë banorë, 36.419 më pak krahasuar me një vit më parë.

Sipas të dhënave zyrtare tkurrja me 1.3% është norma më e lartë e regjistruar që nga viti 2008.

Nëse e krahasojmë me vitin 2021 shihet se në vendin tonë jetojnë rreth 200 mijë shqiptarë më pak.

Viti 2016-2017 ka qenë periudha më e optimiste duke njohur dhe një rritje të popullsisë. Por që prej atyre viteve shifrat janë në rënie të vazhdueshme. I vetmi qark që vazhdon të ketë numër pozitiv është Tirana.

Vetëm në 2021 janë 7300 banorë më shumë në kryeqytet. ndërsa uljet më të mëdha janë shënuar në Gjirokastër, Berat dhe Dibër.

Gjatë vitit të shkuar janë larguar nga Shqipëria 42 mijë qytetarë, ndërkohë që në vitin 2020 ishin rreth 24 mijë.

Sa i takon lindjeve janë 27 mijë fëmijë të ardhur në jetë me një rënie të lehtë krahasuar me vitin e shkuar.

Ndërsa shihet se për herë të parë janë regjistruar më shumë vdekje sesa lindje me një diferencë prej mbi 3 200 banorësh.

Mosha mesatare e popullsisë shqiptare sipas vlerësimit të INSTAT në vitin e kaluar është 38 vjeç nga 37 që ishte në 2020-ën.